Maqedonia barazon 1-1 ndaj Belgjikës

Përfaqësuesja e Maqedonisë barazoi 1-1 ndaj favoritit Belgjikës, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në arenën “Todor Proeski” për kualifikimet e Botërorit, njofton Telegrafi.
Në nddshjen e luajtur para 30 mijë tifozëve, kuqeverdhët treguan lojë luftarake dhe shpërdoruan disa raste, përfshirë dy shtylla në një aksion dhe një gol të anuluar nga VAR-i.
Belgët kaluan në epërsi në minutën e 28-të me golin e De Kuiper, pas një aksioni të shpejtë. Pavarësisht presionit dhe mungesës së fatit, Maqedonia nuk u dorëzua.
Në minutën e 87-të, Ezgjan Alioski realizoi një gol spektakolar pas një asisti të Çurlinovit, duke vendosur baraspeshën dhe ndezur entuziazmin në stadium.
Në fund, barazimi ishte i merituar për një skuadër që tregoi karakter dhe shpirt gare përballë favoritit të grupit.
Përfaqësuesja e Maqedonisë nuk ka kohë për pushim apo eufori – tashmë nesër futbollistët nisen drejt Astanas për ndeshjen kundër Kazakistanit të hënën.