Dosja “Toyota Yaris”/ GJKKO dënon me 4 vite burg Radovan Çelën

GJKKO ka dënuar me 4 vite burg avokatin Radovan Çela, i cili akuzohet për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, në dosjen ‘Toyota Yaris’.
SPAK kishte kërkuar 6 vite burg, por GJKKO e dënoi me 4 vite burg, ndërsa Çela përfiton edhe nga gjykimi i shkurtuar dhe si përfundim do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.
Çela është shpallur fajtor, pasi ka ofruar përfitime të paligjshme për të ndikuar në vendimmarrjen e funksionarëve të drejtësisë.
Vetëm dy ditë më parë GJKKO dënoi me 4 vite burg edhe ish-kryeprokurorin e Vlorës, Aurel Zarka, i përfshirë po në këtë dosje.
Hetimi nisi mbi bazën e të dhënave të Sky ECC, që u vunë në dispozicion nga autoritetet franceze, ku mes të pandehurve u zbuluan komunikime për disa çështje mes të cilave edhe “Toyota Yauris”
Dosja në fjalë lidhet me sekuestrimin e 3.4 milionë eurove të fshehura në dy automjete tip “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit, një çështje e cila ka përfshirë disa emra të njohur të drejtësisë shqiptare.
Sipas SPAK, avokati Çela dhe prokurori Zarka, kanë ndërhyrë edhe për çështjen e Suel Çelës për t’i çliruar pasuritë e sekuestruara në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit.
Në total janë 8 episode, ku është evidentuar ndërhyrja në bashkëpunim me njëri-tjetrin e anëtarëve të grupit kriminal, duke ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë me qëllim lehtësimin e pozitave ligjore.
Ndërkohë lidhur me këtë dosje, vijojnë hetimet në një procedim tjetër të ndarë ku po heton persona dhe episode të tjera korrupsioni dhe ushtrimi të ndikimit të paligjshëm.
Çela u vetëdorëzua më 5 mars të këtij viti, teksa ishte shpallur në kërkim nga SPAK. Ai ndodhej në kërkim që prej muajit korrik 2024, pas një operacioni të zhvilluar nga SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen e cilësuar si “Zarka”.