Pas diagnostikimit me kancer, reagon për herë të parë Joe Biden

Ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka reaguar për herë të parë pas publikimit të lajmit se është diagnostikuar me një formë agresive të kancerit të prostatës. Përmes një postimi në rrjetet sociale të hënën, Biden shprehu mirënjohjen për mbështetjen masive që ka marrë nga qytetarët dhe figura publike.
“Kanceri na prek të gjithëve. Si shumë prej jush, edhe unë dhe Jill kemi mësuar se jemi më të fortë pikërisht në vendet ku jemi thyer,” shkroi ai. “Faleminderit që na keni mbushur me dashuri dhe mbështetje.”
Zyra e Biden bëri të ditur se diagnoza u vendos të premten, pas disa analizave mjekësore. Sipas deklaratës zyrtare, bëhet fjalë për një formë të avancuar të kancerit të prostatës, me metastaza në kocka dhe një rezultat Gleason score 9, që e klasifikon sëmundjen si shumë agresive. Megjithatë, mjekët thonë se kanceri është i ndjeshëm ndaj trajtimit hormonal, gjë që rrit mundësitë për një menaxhim efektiv.
Pas shpalljes së lajmit, figura nga spektri i gjerë politik amerikan reaguan me mesazhe mbështetjeje. Nga ish-presidenti Barack Obama, te presidenti aktual Donald Trump, urimet për shërim dhe solidaritet për familjen Biden nuk munguan.