Qeveria shpalli programe 1 ditë para zgjedhjeve, fali gjobat/ Raporti i vëzhguesve të OSBE/ODIHR, Zannier: Zgjedhjet e 11 majit, në kushte të pabarabarta garimi

Kreu i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të 11 majit, ambasadori Lamberto Zannier, tha se procesi elektoral u zhvillua në kushte të pabarabarta mes mazhorancës dhe opozitës.
Ai tha qeveria shpalosi programe madhore, si dhe fali gjobat pak ditë para ditës së votimeve.
“Fushata përgjithësisht ishte e qetë por pati sulme mes drejtuesve kryesorë të fushatës, sidomos online, ç’ka tregon polarizim tejet të madh dhe mosbesim. Një rol i rëndësishëm i vëzhguesve afatgjatë është edhe ndërveprimi me popullatën lokale. Ne kemi dëgjuar vazhdimisht shqetësime për presione nga nëpunës të administratës publike, përdorim të burimeve shtetërore që u pa edhe nga monitoruesit në shumë raste ku u shpallën programe të mëdha edhe një ditë para zgjedhjeve apo falja e gjobave. Këto praktika i dhanë një avantazh të padrejtë partisë në pushtet duke çuar në kushte të pabarabarta garimi”, tha ai.
Zannier shtoi se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR, do të publikohet pas disa muajsh.