Krimi zgjedhor s’ndalet në Dibër, Policia: Xhemal Gjunkshi denoncoi edhe për të shtëna me armë, SPAK po heton

Zbulohen të tjera detaje nga përplasja mes grupeve të PS dhe PD në Dibër ku u raportua se një automjet është ndaluar nga simpatizantët e PD me pretendimin se nga personat e pranishëm në të, po kryhej krim zgjedhor.
Policia e Dibrës ka reaguar në lidhje me ngjarjen ndërsa ka bërë me dije se kandidati i PD, Xhemal Gjunkshi ka telefonuar uniformat blu si dhe ka denoncuar se një person që ndaluan, ka qëlluar me armë zjarri në ajër teksa është larguar.
Sakaq, në njoftimin e policisë bëhet me dije se nën drejtimin e SPAK dhe të Prokurorisë, vijojnë hetimet për të zbardhur rastin në fjalë.
Njoftimi i Policisë
Rreth orës 20.25 shtetasi Xh.Gj., (kanditat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), ka telefonuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili pretendonte se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kanë ndaluar një shtetas që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave.
Gjithashtu shtetasi Xh.Gj., paraprakisht ka pretenduar se një person teksa është larguar ka qëlluar njëherë me armë zjarri në ajër.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e Spak dhe të Prokurorisë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër po kryejnë hetimet për zbardhjen e rastit.