Njihuni me George Simionin – fituesin nacionalist në zgjedhjet e Rumanisë

Kandidati i djathtë George Simion doli si fitues i qartë të dielën, teksa rumunët votuan në një proces presidencial që u ndoq me vëmendje në mbarë botën.
Ai do të përballet tani në një balotazh më 18 maj me kryetarin centrist të Bashkisë së Bukureshtit, Nicușor Dan, në një garë që do të vendosë nëse Rumania do të bëhet shteti i radhës i BE-së që kalon në mënyrë dramatike në të djathtën ekstreme.
Por kush është ky 38-vjeçar me stil provokues, udhëheqës i partisë “Aleanca për Bashkimin e Românëve” (AUR) — dhe si arriti kaq pranë presidencës?
Adhurues i Trumpit
Simion ka studiuar histori në universitet dhe është përfshirë herët në aktivizëm, duke marrë pjesë në protesta që promovonin bashkimin e Rumanisë me Moldavinë fqinje — një ideologji ultranacionaliste dhe irredentiste, shkruan Politio.
Ai themeloi partinë e tij AUR në vitin 2019, pas një përpjekjeje të dështuar për t’u zgjedhur në Parlamentin Europian si kandidat i pavarur. Simion, i cili shpesh mban një kapele të kuqe flakë me emrin e Donald Trumpit, e ka përshkruar stilin e partisë së tij si “Trumpist”. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, AUR është tashmë forca e dytë më e madhe në parlamentin rumun.
Shumë nga qëndrimet politike të AUR përputhen me ato të lëvizjes MAGA të Trumpit: konservatorizëm social, që e cilëson veten si pro-kristiane dhe pro-familje, si dhe kundërshtim të ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Popullariteti i partisë u rrit ndjeshëm gjatë pandemisë së Covid-19, teksa AUR shfrytëzoi ndjenjat anti-shkencore, duke kundërshtuar masat e qeverisë për kufizimin e përhapjes së virusit dhe duke përhapur teori konspirative për vaksinat në rrjete sociale.
Në vitin 2024, Simion u ndalua për tre vite nga hyrja në Ukrainë, për shkak të asaj që Kievi e cilësoi si “aktivitet sistematik anti-ukrainas”. Ai mohon se është kundër Ukrainës apo pro-rus, duke argumentuar se është “thjesht pro-rumun”. Po ashtu, ai është ndaluar disa herë edhe nga Moldavia, pasi autoritetet e Kishinievit e kanë akuzuar për rrezik të sigurisë kombëtare.
Simion ka sulmuar hapur Brukselin, duke kërcënuar se do të thyejë ligjet e BE-së kur ato nuk i pëlqejnë, megjithëse ka theksuar se Rumania duhet të mbetet pjesë e Bashkimit Europian. Në një intervistë për POLITICO muajin e kaluar, ai ka mohuar etiketimin si ekstremist i djathtë.
Meloni 2.0
Simion e ka përmendur kryeministren e djathtë italiane Giorgia Meloni si një prej heroinave të tij politike dhe ka bërë thirrje për “Melonizimin e Europës”.
“Besomëni, do të vijë edhe ‘Simionizimi’,” i tha ai POLITICO-s në nëntor të vitit të kaluar, pak para se të anuloheshin zgjedhjet presidenciale të mëparshme në Rumani, ku ai përfundoi i katërti.
Që nga ajo kohë, pas shfuqizimit të rezultatit të atyre zgjedhjeve — ku fituesi befasues i ekstremit të djathtë Călin Georgescu u skualifikua dhe u caktua një votim i ri nga Gjykata Kushtetuese e vendit, pasi autoritetet rumune dyshuan për ndërhyrje ruse — profili i Simionit ka njohur rritje të ndjeshme.
Ai denoncoi me forcë anulimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar, duke e portretizuar votimin e ri si një “betejë për demokracinë, vullnetin e popullit, shtetin ligjor dhe rendin kushtetues”, dhe premtoi se nëse zgjidhet, do t’i japë Călin Georgescut një post të lartë në shtet.
Në një debat televiziv të muajit të kaluar mes kandidatëve presidencialë, Simion u shfaq me një tufë me lule për Elena Lasconin, kandidatja e qendrës së majtë që doli e dyta në zgjedhjet e anuluara, përpara se të braktiste debatin në shenjë proteste për anulimin e procesit.
Ky veprim teatral mishëron politikën përçarëse të George Simionit, i cili e nisi karrierën e tij duke marshuar në rrugë dhe duke shpërndarë parulla ultranacionaliste nëpër rrugët e vendit.
Rezultati i zgjedhjeve të së dielës përfaqëson kulmin e ngjitjes së tij nga një aktivist i rrugës në lider i ekstremit të djathtë — dhe, nëse arrin në Pallatin Cotroceni, rezidenca presidenciale në Bukuresht, mund të bëhet njeriu më i fuqishëm në Rumani, shkruan Politico.