Bashkia Elbasan, ndan lekë në formë shpërblimi 2 javë para zgjedhjeve, prokuroria nis hetimet. Sekuestrohen disa praktika

Një çështje penale ka nisur në prokurorinë e Elbasanit, ku në fokus janë vënë zyrtarë të bashkisë së qytetit, për shkak të ndarjes së shumave financiare në formën e shpërblimit.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se veprimet janë kryer dy javë para datës së mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit, pasi një informacion i mbëritur në prokurori jepte të dhëna se punonjësve të bashkisë Elbasan, u ishin shpërndarë shuma financiare në formën e shpërblimit për punë të mirë.
Ky informacion është vlerësuar nga ana e prokurorisë, duke bërë që zv.drejtuesi Xhelian Seferi, të rregjistrojë procedim penal për akuzën e “Korrupsionit zgjedhor” dhe “Shpërdorim detyre”.
Mësohet se hetimi ka në fokus disa punonjës të bashkisë, të cilët kundrejt veprimeve kanë ndarë shuma të konsiderueshme financiare nga buxheti i bashkisë, tek llogaria e punonjësve të ndryshëm.
Motivi i këtyre lëvizjeve financiare është bërë si shpërblim për punë të mirë.
Ndërsa prokuroria ka sekuestruar shumë nga praktikat dhe njëherësh, janë kryer veprime proaktive me qëllim dokumentimin e veprave penale.
Rasti në fjalë shënon vetëm një nga dosjet e rregjistruara në prokurorinë e Elbasanit, ndërsa ky qark po mbahet në monitorim dhe nga struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit SPAK.
Qarku i Elbasanit, vitet e fundit është kthyer në bastion i Partisë Socialiste, ndërsa mjaft incidente të rëndë elektorale, duke filluar nga presionet e deri tek përplasjet me armë kanë ndodhur në këtë qytet.