Aktualitet dhe Lajme

Kinematografia në zi/ Ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori elbasanas, Eduart Çala

Share

Elbasani është zgjuar këtë të diel me lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të një prej figurave të shquara të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, aktorit dhe regjisorit të njohur Eduart Çala.

Ai u shua në moshën 75-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore për qytetin e tij të lindjes dhe për gjithë artdashësit shqiptarë.

Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan ku kreu edhe arsimin fillor dhe të mesëm në shkollën “Jeronim De Rada”. Edhe pse nuk e pati mundësinë të studiojë për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, ai ndoqi studimet e larta në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi.

Dashuria për teatrin dhe skenën do të shfaqej që në bankat e shkollës së mesme, kur interpretoi në komedinë “Udha e Zavalinëve”, një pjesë që la gjurmë në jetën e tij artistike.

Në vitin 1971, Çala u bë pjesë e trupës profesioniste të Teatrit “Skampa” në Elbasan ku gjatë dekadave të punës së tij interpretoi në mbi 50 shfaqje teatrore.

Roli i tij në teatër u karakterizua nga një gamë e gjerë interpretimesh, duke kaluar nga rolet kryesore te ato dytësore dhe episodike, gjithmonë me një përkushtim dhe profesionalizëm të veçantë.Përveç teatrit, Eduart Çala kontribuoi edhe në kinematografinë shqiptare.

Ai u angazhua në role dytësore dhe episodike në disa filma artistikë ku spikati me interpretimet e tij të natyrshme dhe të kujdesshme.

Ndër filmat më të njohur ku ai ka marrë pjesë përmenden: “Përtej mureve të gurta” (1979) ku interpretoi rolin e kuestorit italian, “Një natë Nëntori” (1979), “Partizani i vogël Velo” (1980) si komisari, “Pranverë e hidhur” (1985), “Një jetë me shumë” (1986), “Kronikë e atyre viteve” (1986), “Tre veta kapërcejnë malin” (1988), dhe “Ngjyrat e moshës” (1990).




Huazuar nga albeu.com

Back to top button