Tentoi të grabiste me dhunë tre italiane, arrestohet i riu në Durrës (EMRI)

Policia e Durrësit, ka arrestuar një 18-vjeçar, pasi ka tentuar vidhte me dhunë tre shtetase italiane, si dhe nga hetimet, ka rezultuar dhe si autor i dy vjedhjeve të tjera.
Në kuadër të operacionit të koduar “Provat” është vënë në pranga shtetasi Dorjan Abazi, 18-vjeç, banues në qytetin bregdetar.
Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, “Vjedhja”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
“Ky shtetas dyshohet se në orët e para të mëngjesit në lagjen nr.13, Durrës, ka tentuar t’iu vjedhë me dhunë sendet personale, 3 shtetaseve italiane. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 27.04.2025, në lagjen nr. 13, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale, dhe më datë 28.04.2025, ka thyer xhamin e një automjeti dhe ka marrë disa sende personale. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Dorjan Abazi, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi municioni luftarak dhe disa sende të dyshuara të vjedhura”, – njofton Policia e Durrësit.
Gjithashtu, në lidhje me hetimet e kryera, është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit” dhe shtetasi E. D., 36 vjeç, banues në Durrës.
Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga Dorjan Abazi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrës, për veprime të mëtejshme.