Aktualitet dhe Lajme

U ndaluan nga SPAK, merren në pyetje oficerët e policisë gjyqësore

Share

Shefi i komisariatit të policisë rrugore Tiranë Roven Zeka, shefi i oficerëve të policisë gjyqësore në këtë komisariat, Sokol Novaku dhe oficeri i policisë gjyqësore në rrugoren e kryeqytetit Edison Tabaku, e kanë kaluar natën në bllokun e sigurisë.

Zeka dhe Novaku u paraqiten mesditën e së shtunës në drejtorinë vendore të policisë Tiranë, pasi për ta SPAK kishte lëshuar urdhër ndalimi si të dyshuar për veprën penale, korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim.

Mësohet se gjatë mëngjesit të së dielës, punonjësit e policisë kanë dhënë shpjegimet paraprake para oficerëve të BKH-së, të cilët i kanë pyetur në kushtet e izolimit në bllokun e sigurisë.

Rasti është hetuar nga prokurorja Elida Kaçkini, e cila ende nuk i është drejtuar me kërkesë GJKKO mbi masën e sigurisë që do të kërkojë për 3 zyrtarët e uniformave blu.

Sipas të dhënave paraprake, zyrtarët dyshohet se kanë favorizuar kundrejt ryshfetit, drejtuesen e një automjeti.

Kjo e fundit ka shkaktuar një aksident rrugor dhe është proceduar në gjendje të lirë, megjithëse nga aksidenti 2 persona kishin marrë ndihmë mjekësore në spital.

2 mijë euro dyshohet shuma e dhënë si rryshfet, ndërsa oficeret e policisë kane mohuar akuzën duke pretenduar se kanë zbatuar procedurat standarde.

Dyshohet se për këtë rast SPAK ka administruar edhe përgjime.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button