Fevziu veçon fushatën më të “zjarrtë” ndër vite në Shqipëri: Gara e 11 majit s’ka një vëmendje të madhe!

Moderatori Blendi Fevziu gjykoi fushatat zgjedhore ndër vite në vend, duke veçuar ato më të zjarrtën. Fevziu në një intervistë me gazetarin Drini Zeqo kujtoi fushatën e vitit 1991-1992, ku çdo gjë përbënte risi dhe entuziazmi në popull ishte i madh. Sipas tij në ato vite populli nuk e dinte si funksiononte fushata.
“Janë fushata të panjohura, në mes të një entuziazmi, risi absolute. Deri atëherë, s’kishte pasur zgjedhje të lira. Nuk dinim si funksiononte fushata. Nuk kishte asnjë rregullore apo kod zgjedhor. Gjithçka ishte gati gati e improvizuar. Vëmendja publike ishte më e madhja.”
Ndërsa nga ana profesionale, zgjodhi dy të tjera. Fevziu theksoi se dy fushatat më të mira janë ato të viteve 2005 dhe 2009. Sipas tij fushatat më të mira janë ato kur palët janë afër njëra-tjetrës.
“Dy fushatat më të mira që Shqipëria ka pasur, më e mira e gjithë historisë së Shqipërisë është fushata e vitit 2005. Ballafaqimi i drejtpërdrejtë i kandidatëve mazhoritarë me programet e partive, debatet më të mira të mundshme në studio televizive. E dyta është fushata e 2009-ës, ka qenë e jashtëzakonshme! Si në mundësi, entuziazëm e angazhim. Fushatat më të mira janë ato kur palët janë afër njëra-tjetrës. Kur fituesi nuk është i ditur pak a shumë, perceptimi publik është i ndarë. Janë fushatat më të vërteta”, tha Fevziu.
Kur u pyet për fushatën aktuale, Fevziu u shpreh se fushata nuk ka një vëmendje të madhe. Teksa theksoi se kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Sali Berisha do vijojnë aktivë në politikë pavarësisht rezultatit zgjedhor, shtoi se nuk ka ndonjë pritshmëri nga partitë e reja.
“S’ka asgjë! Asgjë! Ka një program të PD-së që ka ngritur disa gjëra, por s’ka asnjë përgjigje nga pala tjetër. Pala tjetër flet për një gjë që do ndodhë në 2030-ën. S’ka një vëmendje të madhe”, deklaroi ai.