PD denoncon në KQZ drejtoreshën e AZHBR: Po shfrytëzon postin duke bërë fushatë për PS-në

Partia Demokratike, ka kallëzuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve drejtoreshën e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, për shkelje të ligjit, pasi ka shfrytëzuar postibn publik për të bërë fushatë për Partinë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Sipas ankimimit të firmosur nga juristi i PD-së Franc Nuri, Ardita Kuçi, ka kryer shkelje, pasi ka prezantuar si drejtoreshë e AZHBR-së, një program mbështetës kombëtar në bujqësi, vetëm pak javë para zgjedhjeve.
Demokratët pretendojnë se AZHBR ndikon politikisht te fermerët, pasi u jep përfitime atyre vetëm pak javë para zgjedhjeve të 11 Majit.
Shkelja në kodin penal për “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikon dënim me burgim nga 1 deri në 3 vjet.
Koalicioni i PD-ASHM, kërkon nga KQZ marrjen e masave të menjëhershme ndaj drejtoreshës së AZHBR, Ardita Kuçi.
“Subjekti në fjalë në kundërshtim të hapur me ligjin si më sipër dhe Kodin Penal ka përdorur funksionin publik për të favorizuar një parti politike konkretisht Partinë Socialiste. Përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe elektorale është i ndaluar me ligj për faktin se përfshin abuzimin me fondet publike, favorizimin e një partie politike dhe ushtrimin e ndikimit mbi votuesit.
Prezantimi i këtij programi automatikisht ndikon në bindjen politike të zgjedhësve, duke sjellë përfitime dhe interesa për Partinë Socialiste dhe duke dëmtuar interesat e Partisë Demokratike Koalicioni PD-ASHM”, – thuhet në kallëzimin e PD-së. /B.news.al