Përplasje e ashpër në Bashki/ Rama emëron sekretaren e re, Veliaj i ndalon hyrjen në godinë

Share

Një përplasje e ashpër duket se ka nisur mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, për drejtimin e Bashkisë së Tiranës, pasi kryebashkiaku ndodhet në qeli që prej 10 Shkurtit.

Ashtu siç u raportua më herët, përmes një shkrese që mbante datën 18 Mars, Erion Veliaj, kishte firmosur nga qelia e paraburgimit të Durrësit vendimin për largimin nga detyra e kryebashkiakes në detyrë të të besuarës së Ramës, Anuela Ristanit dhe emërimin në vend të saj të të besuarës së tij, Sara Goxhaj.

Kjo e fundit, ka qenë më parë shefe kabineti e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përpara se të emërohej në detyrën e nënkryetares së Bashkisë.

Por, Edi Rama, pasi u vu në dijeni të kësaj shkrese, mbrëmjen e djeshme ka shkuar vetë në Bashkinë e Tiranës dhe i ka kërkuar Anuela Ristanit, që të mos e zbatojë vendimin e Veliajt, si dhe ka urdhëruar Protokollin që të mos protokollojë urdhrin e nxjerrë nga Veliaj, për marrjen e detyrave të kryetarit të Bashkisë nga Sara Goxhaj.

Jo vetëm kaq, por Edi Rama i ka kërkuar Anuela Ristanit, që të firmosë dhe shkarkimin e Alban Dokushit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë dhe në vend të saj të emëronte Jonida Halilin.

Por, mediat raportojnë se Veliaj nga burgu ka urdhëruar Policinë Bashkiake, që të mos i lejojë Halilit hyrjen në godinën e Bashkisë.

Puna në këtë institucion është paralizuar, me punonjësit që nuk dinë cilat urdhra të zbatojnë, ato të kryebashkiakut nga burgu apo të kryeministrit.




Huazuar nga Albeu.com

Reklama
Back to top button