Rrezikonin të mbyteshin pasi varka po largohej drejt thellësisë, shpëtohen dy turiste në Velipojë

Dy turiste kroate janë shpëtuar mbrëmjen e sotme nga Policia e Shkodrës në bashkëpunimit me atë të Malit të Zi. Mësohet se turistet rrezikonin të mbyteshin në plazhin e Velipojës, pasi varka me të cilën lundronin po largohej drejt thellësisë. Gjithashtu bëhet me dije se Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Postën Kufitare Velipojë dhe me ndihmën e Policisë Malazeze ndërhynë menjëherë me helikopter dhe një mjet lundrues.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, pas marrjes së njoftimit nga shtetasi francez B. D., i cili kishte dalë me not në breg të detit në Pulaj, Plazh Velipojë, i cili kërkonte ndihmë për dy turiste nga Kroacia, shtetaset I. K., dhe I. Sh., të cilat si pasojë e dallgëve të shumta, lundra me të cilën lundronin po largohej drejt thellësisë dhe për këtë shkak u rrezikohej seriozisht jeta.
Shërbimet e Policisë në bashkëpunim me Postën Kufitare Velipojë dhe me ndihmën e Policisë Malazeze të cilët ndërhynë menjëherë me helikopter dhe një mjet lundrues, bënë të mundur nxjerrjen nga deti me një mjet lundrues të Policisë malazeze të dy turisteve kroate, të cilat po dërgohen për ndihmë mjekësore në Ulqin, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.