Vrasja e 41-vjeçarit nga babai, shkak konflikti për pronësinë/ Çfarë ndodhi në familjen Gjoni?
![](https://nediber.com/wp-content/uploads/2025/02/hekuran-gjoni.jpg)
Detaje të reja janë mësuar në lidhje me vrasjen me thikë të 41-vjeçarit Asim Gjoni nga babai i tij, Hekuran Gjoni, të shtunën e 1 shkurtit në zonën e ‘Kodrës së Priftit’ në Tiranë.
U bë me dije se konflikti ka qenë për motive pronësie. Lidhur me ngjarjen janë marrë dëshmitë e të gjithë pjesëtarëve të familjes Gjoni, të cilët kanë treguar rreth ngjarjes që ndodhi në banesën e 74-vjeçarit.
Ata jetonin në një banesë tre katëshe private në zonën e Kodrës së Priftit, ku babai i tre djemve dhe dy vajzave, Hekuran Gjoni pasi i kishte martuar të gjithë fëmijët, e kishte ndarë shtëpinë duke ia dhënë me akt dhurimi çdo kat secilit prej tre djemve të tij.
Katin e parë ia kishte dhuruar djalit të tij Asimit dhe dy katet më lart dy djemve të tjerë, por kati i parë ishte i ndarë në dy hyrje, në një jetonte Asimi me gruan dhe dy fëmijët e tij dhe në gjysmën tjetër babai dhe nëna e tij, pjesë të cilën do ta trashëgonte Asimi.
Por prej një muaji me prindërit jetonte edhe vajza e vogël e Hekuranit, e cila ishte divorcuar disa herë dhe kishte shkuar të jetonte me prindërit në gjysmën e banesës së katit të parë dhe i kishte kërkuar disa herë babait të saj Hekuranit që t’i jepte asaj gjysmën e katit të parë.
Sinjalet e para të sherrit në familje kishin nisur tre ditë para ngjarjes së rëndë, ku 74-vjeçari kishte nisur t’i kërkonte letrat e shtëpisë djemve të tij, ku fillimisht Asimi nuk kishte pranuar t’i jepte.
Sa i përket dinamikës së krimit ditën e ngjarjes, në banesë kanë qenë 4 persona, autori Hekurani, nëna e Asimit, motra e tij dhe viktima.
Ndërsa gruaja e Asimit dhe dy fëmijët e tij nuk kanë qenë në banesë ditën e ngjarjes. Asimi sapo ishte kthyer nga puna pasi punonte në ndërtim dhe kishte shkuar te prindërit, për t’i përshëndetur dhe aty ka gjetur dy prindërit dhe motrën e tij duke ngrënë bukë.
Më pas, është hapur sërish debati për pronën dhe gjysmën e pjesës së shtëpisë që e kërkonte motra. Pasi janë konfliktuar verbalisht dhe më pas fizikisht, 74-vjeçari Hekuran Gjoni, ka marrë thikën e bukës duke vrarë djalin e tij.
Fillimisht u tha që autori dhe viktima ishin të dehur në bazë të dëshmisë së motrës së viktimës e cila nuk ka treguar të vërtetën dhe ka tentuar të fshehë shkakun e ngjarjes, por rezultoi që viktima nuk ka qenë i dehur dhe nuk konsumonte alkool dhe ishte një njeri i qetë dhe punëtor që mbante familjen më punën në ndërtim.
Ndërsa, sa i përket autorit të krimit, në bazë të dëshmive të familjarëve dhe të afërmve Hekuran Gjoni, ishte përdorues i alkoolit dhe bëhej i dhunshëm me familjarët sa herë ai konsumonte alkool.
Ndërsa motra e vogël e Asimit e cila kërkonte edhe pjesë shtëpie ditën e ngjarjes ka mbetur e lënduar, ku ka marrë edhe mjekim në spital, e më pas është larguar dhe nuk është kthyer më as në banesë, madje nuk ka shkuar as në varrimin e vëllait të saj.