Hapet kalimi në doganën e Kapshticës, nis qarkullimi i kamionëve dhe autobusëve drejt Greqisë
Ka nisur normalisht qarkullimi i automjeteve në doganën e Kapshticës. Burime për mediat bëjnë me dije se automjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusat me pasagjerë do të vijojnë normalisht qarkullimin drejt tokës greke.
Pezullimi i lëvizjes u njoftua nga pala greke gjatë mbrëmjes të së dielës. Ky vendim erdhi si pasojë e reshjeve të dendura të borës të cilat “paralizuan” juglindjen e vendit.
Ndërkohë, pas ndërprerjes së qarkullimit të kamionëve dhe autobusëve për kalim në Doganën e Kapshticës nga pala greke, numri i mjeteve të cilët pritën në radhë përgjatë gjithë mbrëmjes dhe ditës së sotme ka qenë tepër i lartë.
Udhëtarët dhe drejtuesit e automjeteve u shprehën të shqetësuar për mediat dhe kërkuan që autoritetet të merrnin masa.
Ata u shprehën se ishin të painformuar paraprakisht për këtë mbyllje dhe se situata i gjeti të papërgatitur.
“Nuk e dimë se kur do hapet nga pala greke. Ne premë biletat dhe u nisëm, erdhëm këtu dhe na thanë po nuk e dinim. Situata shumë e vështirë, ja shiheni vetë mes të ftohtit. Duhet të ikim patjetër, më digjen dhe letrat po s’kalova sot. Agjencitë të na japin një zgjidhje, o letrat, o lekët e të ikim me taksi. Duam një zgjidhje”, tha një prej qytetarëve.