Aktualitet dhe Lajme

Gara presidenciale në SHBA, Rutte: NATO do të punojë me këdo që fiton zgjedhjet për të mbajtur NATO-n të bashkuar

Share

“NATO do të punojë me këdo që fiton zgjedhjet në SHBA dhe do të bëjë gjithçka për të qëndruar e bashkuar”.

Kështu u shpreh ditën e sotme Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte. Deklaratë e cila vjen një ditë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne do të punojmë me Kamala Harris, do të punojmë me Donald Trump dhe do të sigurojmë që Aleanca të mbetet e bashkuar”, tha Rutte gjatë një konference të përbashkët shtypi në Berlin me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

“Nuk kam asnjë dyshim, sepse kjo është në interesin tonë dhe në interesin e SHBA-së”, theksoi kreu i NATO-s.

Sipas tij, SHBA-ja do të mbetet e përkushtuar ndaj NATO-s. “Ata e dinë se nëse Putini ka sukses në Ukrainë, atëherë një Rusi e guximshme do të jetë në krahun tonë lindor dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për territorin e NATO-s”, tha ai.

Kur mori detyrën më 1 tetor, Rutte, i cili kishte qenë kryeministër i Holandës për 14 vjet, tha se nuk ishte i shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.

“Unë i njoh shumë mirë të dy kandidatët dhe kam punuar me Donald Trump për katër vjet,” tha ai.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button