
Qeveria e Sali Berishës miratoi me dhjetëra vendime, në fshehtësi dhe publikisht, kryekëput në shërbim të Samir Manes. Seria e ligjeve klienteliste startoi me ligjin për elektroshtëpiaket për të favorizuar biznesin e tij, një ligj që eliminonte pajisjet e përdoruara me gjoba dhe taksa të larta, për t’i rritur xhiron biznesit të Manes me pajisjet e reja. Vendimi më skandaloz ishte edhe me koncesionin e ngjyrosjes së karburanteve, ku Samir Mane fitonte 200 milionë euro në kurriz të qytetarëve shqiptarë.
Një tjetër vendim për interesa të Samir Manes ishte edhe zgjerimi i rrugës së Elbasanit, nga Filologjiku te qendra tregtare e Samir Manes, Teg. Berisha ndryshoi projektin e Unazës së Madhe dhe akordoi një fond prej 12 miliardë lekë për të zgjedhur rrugën nga Filologjiku te qendra tregtare. Koncesioni i pullave fiskale të produkteve të tregut ishte tjetër koncesion që kishte në kontroll biznesmeni i familjes dhe i qeverisë Berisha, miku dhe ortaku i ministrit Ridvan Bode. Nuk kishte të drejtë asnjë firmë tjetër të operonte me pulla fiskale në tregun shqiptar, përveç Samir Manes, i cili prej këtij koncesion biznesi përfitoi afro 15 milion euro në vit. Vendimi u mor nga Berisha dhe Bode vetëm për mikun e familjes Samir Mane.
Çfarë tregoi dosja e SPAK?
Dosja e SPAK evidentoi se në deklaratën për vitin 2009 Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës deklaron Apartament 196 m2 + garazh blerë nga kompania Mane TCI, e cila është në pronësi të oligarkut Samir Mane. Por nga aktet konstatohet se kontrata e sipërmarrjes është lidhur më datë 30.03.2010. Pra një vit më vonë. Një tjetër detaj që evidenton SPAK është se pasuritë që ka marrë Malltezi nga Samir Mane, Argita nuk i ka deklaruar në ILDKPI. Prokurorët evidentojnë se mes Samir Manes dhe familjes “Berisha” ka patur dhe pagesa jashtë sistemit bankar.
Berisha nuk e përmend kurrë Bashkim Ulajn
Një tjetër emër i përmendur në dosjen e SPAK është ai i Bashkim Ulajt, pronar i kompanisë ndërtuese A.B.A.U dhe familjar me lidhje të afërta me familjen Berisha. Ulaj dhe kompania e tij kanë ndërtuar disa apartamente dhe pasuri që rezultojnë në pronësi të Jamarbër dhe Argita Malltezit. Një apartament në rrugën Mustafa Matohiti, vlerë 205 mijë euro, rezulton të mos jetë deklaruar saktësisht nga Malltezët, sipas SPAK. Gjithashtu, është përmendur një tarracë prej 35 m² dhe një garazh i blerë në vitin 2002 për 10 mijë euro, të cilat nuk janë raportuar në deklaratat financiare të Argita Malltezit.
Kur pyetej disa muaj më parë se pse nuk denonconte me emra oligarkët, Sali Berisha përgjigjej se me emra i denonconte kur ata cenojnë rëndë interesin publik. Sipas kësaj deklarate të Berishës interesin kombëtar s’e cenojnë as koncesionin 1.3 miliardë eurosh të Thumanë-Kashar, e cila është miniera e arit e Bashkim Ulajt. Për Ulajn Berisha firmosi me nxitim para largimit në 2013-ën edhe lejet për hidrocentralet në Valbonë, për të cilat u provua më pas se kanë falsifikuar të paktën konsultimet publike dhe u rrëzuan nga Gjykata e Lartë.
Berisha nuk e përmend Artan Dulakun
Oligarku tjetër i përmendur në dosjen 500 faqe të Sali Berishës është edhe Artan Dulaku. Ky i fundit është,përfitues i parave dhe pronave publike, i shpallur dy herë investitor strategjik nga Edi Rama, i cili dyshohet se financon median e Familjes Berisha. Konkretisht, Tring Tv, në pronësi të kompanisë Concord Investment së Dulakut, i kalon çdo muaj 7 milionë lekë në llogaritë e Syrit, që njihet gjerësisht si televizioni i familjes “Berisha”. Në dosjen e SPAK del se kompania”Edil al Group”, me themelues dhe bashkëaksioner e drejtues me tre vëllezërit, Artani, Adriani dhe Genci Dulaku i kanë shitur një apartament Malltezit, i cili si me rastet e Manes dhe Ulajt ka dalë me probleme.
Ja çfarë shkruhet në dosjen e SPAK
“Me kontratën e shitjes me rezervë nr. 143 prot datë 26.05.2005, të lidhur ndërmjet shoqërisë Edil Al-IT sh.p.k. përfaqësuar nga Genc Dulaku dhe shtetasit Jamarbër Malltezi, rezulton se shoqëria është investitore e objektit, në vendin Rruga Bajram Curri, pranë piramidës Tiranë. Objekt i kontratës është, premtimi i shitjes së ap tip 5 me sip ndërtimi 120.5 m2 që përbëhet nga 111 m2 sip ap plus 9.5 m2 sip në pjesën e përbashkët të shkallës, që ndodhet në katin e 13 nga toka, në godinën Europian Trade Center.
Kohëzgjatja e kontratës do të jetë deri në momentin e nënshkrimit të proces verbalit të marrjes në dorëzim të ap, parashikuar brenda 31.08.2005. Çmimi është 150 625 euro. Blerësi do të paguajë këstin e parë të blerjes prej 90 000 euro brenda datës 01.07.2005; shumën 53 095 euro brenda datës 03.08.2005 dhe shumën 7 530 euro me marrjen në dorëzim të hipotekës së apartamentit. Kjo kontratë është noterizuar me nr. 4100 rep nr. 648 kol datë 26.05.2005 para noteres Ruko Sako. Nga analiza e bankave të nivelit të dytë, në bankën ABI 000063808 EURO, në datën 27.07.2005 është marrë kredi 150,000 euro, dhe më pas janë paguar dy këste për apartamentin në vlerën 143,095 euro, nga shtetasi Jamarber Malltezi tek Edil Al It, në datat 27.07.2005 dhe 02.08.2005. Shtetasja Argita Malltezi ka deklaruar për vitin 2005: Apartament Europian Trade Center 120 m2. Pa regjistruar.
Blerë në 2005 me kredi, 150,000 euro. Pjesë takuese. Pagesa e këstit të fundit për blerjen e apartamentit tek ETC është 7,500 euro në llogarinë Intesa 40201835102 euro në emër të shtetasit Jamarbër Malltezi në datën 17.11.2014. Në deklaratën për vitin 2014, (datë 01.04.2015) shtetasja Argita Malltezi, nuk deklaron pagesën prej 7 500 (shtatëmijë e pesëqind) euro. Në deklaratën për vitin 2009 shtetasi Jamarbër Malltezi deklaron “Bashkëpronësi apt 110 m2 -ETC-nuk deklaron vlerë”.
Politika
Me rastet që përmendëm po flasim vetëm për pagesa zyrtare përmes bankës dhe jo për paratë cash, prona, vila dhe apartamente që familja Berisha ka marrë drejtpërdrejt apo në mënyrë të kamufluar nga klientët e pushtetit të Rilindjes. Kryeministri Rama është kujdesur që gjatë këtyre 11 viteve të vendosë shtetin në shërbim të bizneseve të tyre, që në fund një pjesë e parave të shkojë në xhepin e tij dhe të Berishës.
Qeveria ka punuar në prapaskenë që çdo dëshirë e oligarkëve të Sali Berishës të plotësohej dhe pronat e tyre të shtoheshin. Ata kanë gllabëruar tenderë me vlera marramendëse, kanë përfituar prona gjigante në zona të lakmueshme në bregdet, kanë futur duart në pasuritë e Shqipërisë, madje rezultojnë të jenë investitorë strategjik me firmën e Ramës. Këta oligarkë janë më të përkëdhelurit nga ligjet e bëra apostafat nga qeveria. Janë krijuar projekte në mënyrë që bizneset e tyre të lulëzonin edhe më shumë.
Huazuar nga skaproblem.al