Aktualitet dhe Lajme

Paditësi nuk kërkoi kurrë dëmshpërblim

Share

Ish-kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi, ka reaguar pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që e dënoi atë me 8 muaj burg për shpërdorim detyre. Mandi thotë në deklaratën e saj se ajo është dënuar për vetëm 15,8 metra katror tokë, e cila u vu në shërbim të projektit të zgjerimit të rrugës dhe për këtë sipas saj kishte dakordësi nga pronari. Paditësit sqaron Mandi i takon 1/10 e vlerës së pronës, diku te 360 mijë lekë të vjetra. Ish-kryebashkiakja e Libohovës flet gjithashtu për sulm ndaj saj dhe persona që duan t’i njollosin emrin. Më poshtë deklarata e plotë e Mandit.

Të dashur miq e bashkëqytetarë te mi!

Jam njohur nga media për vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku akuzohem për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një padi të ngritur kundër meje nga një pronar toke në qytetin e Libohovës.

Nëpërmjet këtij postimi nuk dua të kundërshtoj apo të komentoj vendimin e kësaj gjykate, por si e votuara juaj për dy mandate, kam detyrimin që të ndaj me ju, si para Zotit, të vërtetën e këtij sulmi nga njerëz që duan të njollosin emrin tim. Para jush unë do të jap llogari, njësoj sikur të isha në detyrë. Gjatë zbatimit të projektit për restaurimin e qendrës së qytetit Libohovë, në vitin 2016, lindi nevoja për zgjerimin e rrugës dytësore , bypass-it të qytetit.

Zgjerimi do të “cënonte” edhe pronën në bashkëpronesi nga 10 pronarë, ku vetëm 15.8 metra katror i takonin paditësit. Duke qenë një sipërfaqe kaq e vogël, asnjëri nga bashkëpronarët, perfshi edhe paditësin, nuk kërkuan asnjë dëmshpërblim për këtë, por vetëm disa punime sistemimi në bahçen e shtëpisë së tyre, të cilat ju plotësuan.
Punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal.

Vlera totale e pronës, sipas vlerësimit, qenkërka 3 milionë e 600 mijë lekë (të vjetra) dhe vlera që paditësit “i takon” është 360 mijë lekë (të vjetra). Të dashur bashkëqytetarë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për këtë “dëm” që i kam shkaktuar këtij qytetari, e ka klasifikuar “shpërdorim detyre” dhe kërkon të më dënojë me 8 muaj heqje lirie!!!

Ndihem krenare për punët e mira që kam bërë gjatë ushtrimit të detyrës sime si kryetare e bashkisë, por këtë krenari dhe emrin tim që dikush është i intresuar për ta goditur dhe njollosur, do ta ruaj me të gjitha mjetet ligjore, në çdo shkallë të gjyqësorit! Ju faleminderit!



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button