
Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, ka miratuar një vendim kyç që përcakton kriteret dhe procedurat e detajuara për pranimin, titullimin dhe gradimin e ushtarakëve në Shërbimin Ushtarak Rezervist.
Ky vendim, i bazuar në Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit ushtarak rezervist”, ka për qëllim sigurimin e individëve të trajnuar për kompletimin e Forcave të Armatosura dhe ruajtjen e gatishmërisë së vendit.
Kriteret e pranimit dhe sfera e zbatimit
Rregullorja e re mbulon dy kategori kryesore individësh.
Ushtarakët në rezervë konsiderohen ata që kanë shërbyer më parë në shërbimin ushtarak aktiv, ata që nuk kanë shërbyer më parë në shërbimin ushtarak aktiv, por plotësojnë kriteret e përgjithshme ligjore. Shtetasit civilë, ditën e titullimit “ushtar”, “nënoficer” ose “oficer rezervist”, kryejnë betimin ushtarak.
Procesi i aplikimit dhe përzgjedhja
Procesi i rekrutimit do të jetë i strukturuar dhe transparent. Strukturat e FA-së paraqesin nevojat vjetore për personel rezervist në Shtabin e Përgjithshëm brenda muajit janar.
Aplikantët, përfshirë shtetasit civilë, duhet të aplikojnë pranë Qendrës së Personel-Rekrutimit dhe të dorëzojnë dokumentacion si kërkesën me shkrim, diplomën/dëftesën, dëshminë e penalitetit dhe vërtetimin e aftësisë fizike nga mjeku.
Përzgjedhja bëhet nga komisionet e vlerësimit dhe komisioni mjekësor. Komisionet e oficerëve ngrihen me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa ato të nënoficerëve dhe ushtarëve/detarëve me urdhër të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Gradimi dhe koha minimale e qëndrimit në rezervë
Vendimi detajon kohën minimale të shërbimit në rezervë (aktivizimit) të nevojshme për marrjen e gradës së radhës. Kriteret e gradimit kërkojnë plotësimin e kohës minimale të shërbimit dhe kryerjen e arsimimit/kualifikimit të nevojshëm.

Për titullimin e gradave madhore të oficerëve (përtej kolonel/kapiten i rangut të parë) është përgjegjës Presidenti i Republikës, ndërsa gradat më të ulëta dhe titullimet bëhen me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes ose Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Ky vendim zëvendëson vendimin e mëparshëm të vitit 2018, duke sjellë rregulla tërësisht të reja në përputhje me ligjin e ri “Për shërbimin ushtarak rezervist”.
Start News
