Zyrtare/ Sllovenia njeh shtetin e Palestinës
Sllovenia ka miratuar ditën e sotme me shumicë votash njohjen e shtetit të Palestinës, duke vleftësuar një vendim të marrë nga qeveria pak ditë më parë.
Kërkesa e opozitës konservatore për një referendum konsultativ u refuzua dhe, pas një votimi, vendimi i qeverisë për të njohur Palestinën si një “shtet të pavarur dhe sovran” u la në fuqi.
Kështu Sllovenia u bë shteti i 147-të anëtar i OKB-së që njohu shtetin e Palestinës.
Më 28 maj, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia njohën shtetin palestinez, duke shkaktuar zemërimin e Izraelit.
Nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Suedia, Qiproja, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria e kanë njohur tashmë shtetin palestinez. Malta ka treguar se mund ta njohë së shpejti.
Britania dhe Australia kanë thënë se po shqyrtojnë njohjen, por Franca e ka bërë të qartë se koha nuk ka ardhur ende.
Gjermania pajtohet me SHBA-në, aleatin më të vendosur të Izraelit, duke refuzuar një qasje të njëanshme dhe duke këmbëngulur se një zgjidhje me dy shtete mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
Të martën e kaluar, parlamenti danez votoi kundër një projektligji për njohjen e një shteti palestinez.