Zyrtare: Jonathan David transferohet te Juventus

Juventus ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit kanadez Jonathan David, duke shtuar një emër të rëndësishëm në repartin ofensiv për sezonin e ri.
Klubi italian konfirmoi të premten se ka arritur marrëveshje me 25-vjeçarin, i cili i bashkohet “Zonjës së Vjetër” si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës së tij me klubin francez Lille. David ka nënshkruar një kontratë pesëvjeçare që do ta mbajë në Torino deri në verën e vitit 2030.
“Jonathan David është zyrtarisht lojtar i Juventusit. Mirë se erdhe në Torino, Jonathan! Mezi presim të të shohim në fushë,” shkroi klubi bardhezi në rrjetet sociale, duke e shoqëruar njoftimin me një video prezantuese.
David e mbylli aventurën e tij pesëvjeçare me Lille me një bilanc mbresëlënës: 232 paraqitje, 109 gola të shënuar dhe 30 asistime, duke qenë një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës gjatë kësaj periudhe.
Sulmuesi kanadez, i lindur në Brooklyn të SHBA-së, më parë ka luajtur edhe për Gent në Belgjikë dhe Ottawa në Kanada, ku edhe filloi karrierën e tij profesionale.
Transferimi i David shihet si pjesë e projektit të ri të Juventusit për të rikthyer klubin në nivelet më të larta të futbollit evropian. Ai pritet të jetë një element kyç në skemat e trajnerit të ri, duke sjellë shpejtësi, saktësi dhe përvojë ndërkombëtare në repartin e sulmit.