Zj*rri në Vlorë, kryebashkiaku Dredha: I qëllimshëm! Kallëzim penal të gjitha hallkave, përfshi dhe institucionet që varen nga Bashkia

Për zjarrin masiv të fusha e mbetjeve në Vlorë, pikërisht në nisje të sezonit veror dhe turistik, ka reaguar edhe kryebashkiaku Ermal Dredha.Teksa e quan një “rrethanë të përsëritur dhe të patolerueshme”, i zgjedhuri vendor shprehet se kjo është një “zjarrvënie e qëllimshme” dhe papërgjegjshmëri njerëzore.
Ai konfirmon se Bashkia dhe Policia e Shtetit kanë bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos përsëriten më, përfshi edhe institucionet që varen nga bashkia vetë.
Reagimi i kryebashkiakut Ermal Dredha:
“Si pasojë e një rrethane të përsëritur dhe të patolerueshme të zjarrëvënies së qëllimshme apo papërgjegjshmërisë njerëzore, në fushën e mbetjeve, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, përfshi edhe institucionet që varen nga bashkia. Organet ligjzbatuese janë vënë në veprim për të dënuar cilindo që përpiqet të dëmtojë imazhin e qytetit në nisjen e sezonit turistik.
Sidoqoftë, janë marrë masat e menjëhershme për shuarjen e zjarrit dhe mospërsëritjen e kësaj ngjarje të shëmtuar!”.