Zjarret në vend/ Ministri Hoxha: Kemi proceduar 120 persona për zjarrvënie

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka deklaruar se 2025 është nga vitet më të vështira përsa i përket përballjes me zjarret në vend, duke theksuar se faktori njerëzor ka qenë shkaku kryesor i situatave të krijuara.
Hoxha bëri të ditur se deri më tani, janë regjistruar 59 zjarre të mëdha dhe 961 zjarre të vogla.
Gjithashtu, ministri bëri me dije se 21 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, janë arrestuar dhe se këta të fundit duhet të përballen me drejtësinë.
Po ashtu, ai theksoi se policia ka proceduar 120 persona të tjerë për zjarrvënie të që
“Shumica e zjarreve janë të qëllimshme. Ky ka qenë ndër vitet më të vështira sa i përket zjarreve. Deri sot, vendi ka pasur 59 zjarre të mëdha, 961 ishin zjarre të vogla, si prsh në banesa ose kullota. Përballë kësaj situate reagimi ynë ka qenë i menjëhershëm. Mobilizimi i jashtëzakonshëm ka dhënë rezultate, ne nuk kemi humbje jete dhe është ndaluar përhapja e zjarrit në infrastrukturë kritike. Por, 2 efektivë janë lënduar, në një akt heroik. Punonjësi i policisë Agim Troci, shef i komisariatit Delvinë është jashtë rrezikut për jetën, që u plagos, teksa ndërhyri në një zjarr në një banesë.
Sa u përket zjarreve, kemi të bëjmë më tepër me faktorin njerëzor, ndonjëherë ka zjarrvënës të qëllimshëm, por edhe zjarrvenie pa dashje. 120 persona janë proceduar në total për zjarrvenie dhe 21 janë arrestuar. Kjo vepër penale, që lidhet me zjarrvënien e qëllimshme, duhet të ashpërsohet në dënim. Ata që rrezikojnë jetën e natyrën, do mbajnë përgjegjësi. Parashikimet janë që edhe gushti do jetë i vështirë për ne, ndaj përgjegjësia është e madhe”, tha Hoxha.