Zjarr pranë nënstacionit të vjetër elektrik në Gjirokastër, dyshohet për masë në një kabllo të tensionit të lartë

Një masë në një kabllo tensioni të lartë, dyshohet se është shkaku i zjarrit që ra rreth mesnatës pranë nënstacionit të vjetër elektrik në Gjirokastër.
Flakët përfshinë menjëherë bimësinë e thatë në zonën përreth, duke krijuar rrezik për përhapje të mëtejshme dhe dëmtime në infrastrukturën energjetike.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, ekipi i shërbimit zjarrfikës u nis drejt vendngjarjes dhe ndërhyri për izolimin e flakëve.
Ndërhyrja në kohë bëri të mundur neutralizimin e rrezikut, pa pasoja për nënstacionin dhe pa cënuar furnizimin me energji elektrike në zonë.
Zjarri u lokalizua brenda një sipërfaqeje të kufizuar me barishte dhe u vu nën kontroll në një kohë të shkurtër.
Shërbimet përkatëse vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të shmangur përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen.