Zhduket jahti në Portin e Durrësit, pronari në panik bën denoncimin në polici! Pak orë më vonë mjeti shfaqet duke u rikthyer

Një jaht i ankoruar në Portin e Durrësit u raportua ditën e sotme i zhdukur nga pronari Dorian Alikaj.
Dorian Alikaj u njoftua rreth orës 14:00 të mesditës që mjeti i tij lundrues me emrin “Tamomar 2” nuk ishte në zonën ku ishte ankoruar prej disa muajsh. Ai menjëherë ka vënë në dijeni Policinë Kufitare e më pas ka shkuar në Komisariatin e Durrësit për të depozituar kallëzimin.
Mirëpo, pas denoncimit jahti është parë duke u rikthyer në vendin ku ishte ankoruar ndërsa në bord ndodheshin 3 persona. Autoritetet kanë shoqëruar për në komisariat këta tre persona me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
Vijon të mbetet e paqartë sesi këta persona kanë arritur të ndezin mjetin lundrues ndërsa çelësat ruheshin nga kapiteni i jahtit, Memet Ayhan Ulus.