Zgjedhjet në 5 bashkitë, KQZ propozon datën e çeljes së fushatës si dhe 1 javë fushatë. Koalicionet, regjistrimin deri më 16 tetor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sugjeruar që fushata për zgjedhjet në Tiranë dhe pesë bashki të tjera të nisë më 1 nëntor.
Ky propozim është ende në diskutim dhe nuk ka marrë miratim përfundimtar. Sipas draftit të paraqitur, partitë politike duhet të dorëzojnë kërkesat për regjistrim deri më 11 tetor, ndërsa kandidatët kanë afat deri më 19 tetor për t’u regjistruar,
Koalicionet politike duhet të përfundojnë regjistrimin deri më 16 tetor.
Gjithashtu, Zyra e Gjendjes Civile do të fillojë përgatitjen e listave zgjedhore më së voni më 11 tetor. Këto afate synojnë të sigurojnë një proces zgjedhor të organizuar dhe transparent.
Propozimi i KQZ për Komisionin Rregullator:
Bashkitë TIranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, si dhe institucionet e tyre të varësisë, janë të detyruara të raportojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 11.10.2025 deri më datë 9.11.2025.
Të njëjtin detyrim kanë edhe institucionet publike qendrore, organet e tyre të varësisë dhe degët e tyre vendore, si dhe agjencitë dhe/ose ndërmarrjet shtetërore, për veprimtari me karakter publik, që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 11.10.2025 deri më 9.11.2025, në territorin e Bashkive Tiranë, Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë, ose për to.
Autoriteti i Mediave Audiovizive monitoron OSHMA-të për veprimtaritë me karakter publik të institucioneve publike të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, nga data 11.10.2025, nga ora 08:00-00:00, ose sipas rastit, deri në përfundimin e programit.
Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar bashkie në Bashkitë TIranë, Berat, Tepelenë,Cërrik, Mat dhe Vlorë fillon më datë 1.11.2025.
Zyra e Gjendjes Civile në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, hartojnë listat e zgjedhësve jo më vonë se data 6.10.2025. Brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga përfundimi i përditësimit, kryetari i njësisë së qeverisjes vendore miraton dhe shpall listat e zgjedhësve, në përputhje me nenin 48 të Kodit Zgjedhor.
Kryetarët e Bashkive në detyrë paraqesin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, listën e plotë të objekteve të qendrave të votimit që përmbushin kushtet e parashikuara në ligj, jo më vonë se data 8.10.2025.
Start News