Zgjedhjet e pjesshme/Policia e Shtetit: Do ruajmë 9 objekte zgjedhore dhe 473 qendra votimi

Share

Mbi 600 punonjës të policisë në terren

Në prag të zgjedhjeve të pjesshme lokale në pesë bashki, Policia e Shtetit ka njoftuar se ka  hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Kështu, siç bëhet me dije përmes një njoftimi për mediat, 612 punonjës dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e 473 qendrave të votimit dhe 9 objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore.

Strukturat e posaçme hetimore të Policisë do të monitorojnë çdo tentativë për tjetërsimin e votës, ndërsa u bëhet thirrje qytetarëve dhe subjekteve politike të respektojnë ligjin për një proces zgjedhor të qetë dhe të sigurt.

Plani i masave të policisë

Të shtunën: Në 5 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe ditën e shtunë do të marrë në ruajtje 473 objekte që do të shërbejnë si qendra votimi.

Policia thotë se lista me 612 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar.

Shërbimet e Policisë që janë të planëzuara për ruajtjen e objekteve që do të shërbejnë si qendra votimi, do të instruktohen ditën e shtunë paradite dhe më pas do të shpërndahen në qendrat ku janë të planëzuara me shërbim.

Të dielën: Ditën e diel, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00.

Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të ketë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore.

Në orën 18:00, shërbimet e Policisë do të marrin në ruajtje të gjitha objektet e VNV-ve ku do të bëhet numërimi i votave dhe shërbimi do të vijojë deri në përfundim të të gjithë procesit.

Policia thotë se janë marrë të gjitha masat që në çdo komisariat dhe drejtori, në territorin e të cilave do të ketë zgjedhje, të ketë grupe të gatshme për të vepruar në terren, në rast nevoje.

“Të gjithë këta punonjës janë të trajnuar dhe të miratuar nga KQZ-ja, dhe do të jenë të pajisur me mjetet e identifikimit dhe me jelekë të Policisë. Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, janë në terren, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të tjetërsuar votën nëpërmjet shitblerjes apo formave të tjera.“, thuhet në planin e Policisë. Gjithashtu, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i koordinimit dhe drejtimit për procesin zgjedhor.

Të dielën, 334 mijë e 539 zgjedhës në pesë bashkitë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, do t’u drejtohen 472 qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre me votë. Në garë janë 13 kandidatë, ku kandidatët socialistë do të përballen me rivalë të pavarur, të cilët kanë mbështetjen e opozitës së bashkuar.


Start News

Reklama
Back to top button