Aktualitet dhe Lajme

Zgjedhjet e 11 majit/ Mbi 3 mijë të dënuar dhe të paraburgosur pritet të votojnë

Share

Mbi 3.027 të dënuar dhe të paraburgosur, pritet të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Me qëllim ushtrimin sa më të sigurt të kësaj të drejte, Prezenca e OSBE-së dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, organizuan sot një trajnim për rreth 45 punonjës të nivelit të lartë të institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale.

Programi përfshiu një gamë të gjerë temash, që nga kuadri ligjor që rregullon të drejtën e votës së të burgosurve, masat praktike për lehtësimin e votimit në burgje e deri te praktikat më të mira dhe mësimet e nxjerra nga zgjedhjet e mëparshme.

Pjesëmarrësit u angazhuan në sesione ndërvepruese, për të nxitur pjesëmarrjen në zgjedhje të të burgosurve me të drejtë vote.

Trajnimi, gjithashtu, adresoi sfidat logjistike dhe ligjore me të cilat përballet administrata e burgjeve gjatë zgjedhjeve dhe ofroi udhëzime praktike për të siguruar transparencë, akses dhe siguri gjatë procesit të votimit, thuhet në deklaratën e Prezencës së OSBE-së.

Trajnimi është pjesë e mbështetjes së Prezencës së OSBE-së, për autoritetet e zbatimit të ligjit në prag të zgjedhjeve të 11 majit.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button