Aktualitet dhe Lajme

Zgjedhjet e 11 majit/ Berisha nga Peqini: Në 100 ditët e para, nuk do ketë rroga nën 500 euro dhe pensione nën 200 euro

Share

Kryetari i PD, Sali Berisha, ishte në qytetin e Peqinit, ku prezantoi kandidatët e koalicionit “Shqipëria Madhështore”.

Berisha u shpreh se Shqipëria do jetë krenare me këtë ekip që do jetë avokat i pamposhtur i kauzave të qytetarëve në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.

Kreu i PD-së, premtoi se; “në 100 ditët e para u siguroj se nuk do ketë pensionist me pension nën 200 euro. Dhe sot me pension nën 172 euro janë 57 përqind e të gjithë pensionistëve.

U siguroj se me 11 Maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal sepse pas 11 Majit në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri. Dhe se rroga mesatare do jetë 1250 euro. Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro”, tha Berisha.

Sipas tij, “Peqini dhe Shqipëri është bërë e pajetueshme sepse pensionistët që kanë shkrirë jetën e tyre, sot trajtohen në mënyrën më të pashpirt, sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro”.

“Me një pension që sot krahasuar me 13 vite më parë, blen 2 herë e gjysmë më pak. Me një pension që për të blerë sa blihej në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë. Nuk arrijnë të jetojnë këtu se bizneset ndrydhen dhe gjobiten nga të katër anët”, vijoi kreu i PD-së.

Më tej, Kreu i opozitës tha se; “Edi Rama solli këtë vit buxhetin 8 miliardë euro. Kishte lënë gjithsej për pensionistët 16 milionë euro. Për 760 mijë burra dhe gra vetëm 16 milionë euro”.

“Kur ne kërkuam të vendosim minimumin jetik 200 euro, kjo, tha ai, na çon në humnerë. Sot zyrtarët shqiptarë marrin rrogat më të larta në Ballkan. Sot diferenca mes rrogës minimale dhe rrogës më të lartë është 14-15 herë, sa asnjë vend tjetër në planet.

Mund të ketë ndonjë sulltan apo ndonjë mbret, por vend që vendos të tillë hendek mes rrogës së lartë dhe të ulët si këtu nuk ka. Ndaj dhe jam sot këtu për të kërkuar nga të gjithë ju, nga të gjithë qytetarët e Peqinit, të gjithë fermerët e Peqinit, të bashkohemi për të votuar ndryshimin”, u shpreh Berisha.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button