Zgjedhjet/ Celibashi, Çela dhe Dumani takim me ambasadorët e huaj: Të luftohet krimi elektoral

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në ambientet e Ambasadës së Francës në Tiranë, është zhvilluar një takim i rëndësishëm mes përfaqësuesve të institucioneve kyçe shqiptare dhe diplomatëve të huaj.
Në qendër të diskutimeve ka qenë procesi zgjedhor në Shqipëri dhe masat për të garantuar integritetin e tij, si dhe forcimi i përpjekjeve për të luftuar krimin elektoral.
Në këtë takim, morën pjesë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela dhe kreu i SPAK, Altin Dumani.
Ata ndanë informacione mbi përgatitjet për zgjedhjet dhe mekanizmat e vëzhgimit dhe ndëshkimit të shkeljeve të mundshme.
Gjithashtu, të pranishëm ishin ambasadorët e vendeve kryesore partnere të Shqipërisë, përfshirë Francën, Gjermaninë, Holandën, Austrinë, Italinë, Zvicrën, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim mori pjesë edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, si dhe kreu i Misionit të Vëzhguesve të ODIHR-it, Lamberto Zannier.
Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e organizimit të një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe të pandikuar nga elementë kriminalë.
Palët theksuan domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për të parandaluar dhe ndëshkuar çdo formë të manipulimit të votës apo intimidimit të votuesve.
Diplomatët riafirmuan mbështetjen e tyre për institucionet shqiptare dhe shprehën pritshmëritë që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare.