Aktualitet dhe Lajme

Zëdhënësi i BE: Mirëpresim thirrjet e Vuçiç për riintegrimin e serbëve në Kosovë

Share

Bashkimi Evropian, duke iu referuar masave dhe thirrjeve të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për serbët në Kosovë, u kërkoi të dyja vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiç për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, shkruan REL.

Ai i bëri komentet në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për t’i komentuar disa kërkesa dhe masa të Vuçiçit, që parashtroi javën e kaluar.

Mes tjerash, ato përfshijnë shpalljen dhe mbajtjen e “zgjedhjeve lokale, të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, si dhe kthimin e serbëve në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës për veriun dhe kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksionet e tyre.

Komunat në veri, aktualisht, udhëhiqen nga shqiptarë, pasi banorët lokalë serbë i bojkotuan zgjedhjet në atë zonë.

Kryetarët serbë, ashtu si edhe zyrtarë të tjerë të komunitetit dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022, kur tensionet ishin të larta për shkak të vendimit të autoriteteve të Kosovës për t’i zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës.

Stano tha se BE-ja, vazhdimisht, i ka bërë thirrje Beogradit që të inkurajojë riintegrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, dhe Prishtinës që ta mundësojë atë.

“Marrëveshjet e dialogut i parashikojnë hapat dhe procedurat që kjo të ndodhë, në përputhje dhe duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës”, tha Stano.

“Në këtë kontekst, impelementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm”, shtoi ai, duke iu referuar, po ashtu, kërkesës së Vuçiqit për themelimin e këtij asociacioni në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka komentuar deri më tash kërkesat e Vuçiçit.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button