




Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor ish-deputetin e PS, Jurgis Çyrbja për veprat penale të “tregimit të sekretit shtetëror” për disa episode, si dhe për “përkrahje të autorit të krimit” në 4 episode. Ai është shpallur gjithashtu fajtor për “korrupsion në zgjedhjet e vitit 2021”. Në bashkim të dënimeve, Çyrbja ishte i dënuar me 3 vite burg, të cilat reduktohen në 2 vite për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar.
Edhe Altin Hajri është shpallur fajtor për “korrupsion në zgjedhje” dhe “tregim të sekretit shtetëror”. Dënimi i kërkuar ishte 3 vite burg, i cili u ul në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.
GJKKO shpalli fajtor edhe Ahmet Mashën për “tregim të sekretit shtetëror” dhe për “përkrahje të autorit të krimit”, me dënim fillestar 2.6 vite burg, që u reduktua në 1.8 vite pas gjykimit të shkurtuar.
Akuzat për korrupsion në zgjedhje dhe zbulim sekreti shtetëror
Sipas dosjes hetimore të SPAK, të tre të pandehurit akuzohen për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Zbulim të sekretit shtetëror”, “Përkrahje të autorit të krimit”, dhe “Korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje”.
SPAK zbulon se hetimet për këtë çështje kanë përfshirë analiza të komunikimeve të kryera në platformat e enkriptuara “Sky ECC” dhe “Matrix”, të cilat kanë shërbyer për dokumentimin e kontakteve dhe veprimtarisë së koordinuar mes të pandehurve.
Gjatë periudhës së hetimit, Jurgis Çyrba ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë (legjislaturat 2017–2021 dhe 2021–2025), deri në dorëheqjen e tij më 9 tetor 2024. Hetimet kanë zbuluar se ai kishte marrëdhënie të ngushta miqësore me Altin Hajrin dhe se, përmes funksionit të tij publik, i ka premtuar ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit në këmbim të mbështetjes elektorale. Ky veprim, sipas prokurorisë, përbën “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Nga ana tjetër, Altin Hajri, duke pranuar dhe përfituar nga këto favore, dyshohet se është përfshirë në “korrupsion pasiv në zgjedhje”, duke u angazhuar për të siguruar vota në favor të kandidatit.
Hetimet kanë zbuluar se Çyrba, Masha dhe Hajri, së bashku me persona të tjerë, kanë koordinar aktivitete kriminale përmes platformave të enkriptuara, duke siguruar dhe shpërndarë informacione sekrete nga sistemi TIMS dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Në të paktën tetë episode të ndryshme, të ndodhura mes majit 2020 dhe marsit 2021, të pandehurit dyshohet se kanë shpërndarë të dhëna konfidenciale mbi personat në kërkim, planet operacionale të policisë dhe veprime të tjera hetimore në disa qarqe, përfshirë Durrësin.
Këto të dhëna janë transmetuar te persona të shpallur në kërkim, për t’i ndihmuar të shmangnin kapjen, çka përbën elementët e veprave penale të “tregimit të sekretit shtetëror” dhe “përkrahjes së autorit të krimit”.
Start News
