Zbardhet vendimi i ri/ Ja cila kategori përfiton rritje pensioni

Ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave, miratoi vendimin për përcaktimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2023 me indeksin 9.3%, i cili do të përdoret për llogaritjen e pensioneve në Republikën e Shqipërisë.
Ky indeks, llogaritet në përputhje me kriteret e përcaktuara në nenin 59 të ligjit nr.7703, datë 11 maj 1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1 e 3, të nenit 59, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi: Miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2023, me indeksin 9.3%, të llogaritur sipas kritereve, të përcaktuara në nenin 59, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Indeksi i përcaktuar sipas pikës 1 të këtij vendimi aplikohet për llogaritjen e bazës së vlerësuar individuale vjetore, të arritur nëpërmjet kontributeve të paguara dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2023 dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së masës fillestare mujore të pensioneve, me datë lindjeje të së drejtës nga data 1.1.2025 e në vazhdim”, – thuhet në vendim.
Në këtë të fundit shtohet se indekset akumulative të bazës së vlerësuar, të arritura nëpërmjet pagave të periudhës 1994-2023, referuar kontributeve të paguara sipas muajve në këtë periudhë dhe pagave referuese sipas punëve dhe profesioneve, e përcaktuar me vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, sipas viteve, janë sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Vendimi përcakton gjithashtu, kufijtë maksimalë të bazës së vlerësuar që përdoret në llogaritjen e pensioneve.
“Pas aplikimit të indeksit të vitit 2023, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1.1.2025, nuk mund të jetë më e lartë se: a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për pagat e periudhës, nga viti 1994 deri më 31.12.2001; b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim”, – thuhet në vendim.
Sakaq, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve dhe aplikohen vetëm për pensionet me datë fillimi nga data 1.1.2025 e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore.
BAZA E VLERËSUAR
Pas aplikimit të indeksit të vitit 2023, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1.1.2025, nuk mund të jetë më e lartë se:
a) Trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për pagat e periudhës, nga viti 1994 deri më 31.12.2001.
b) Paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.