Aktualitet dhe Lajme

Zbardhet kërkesa zyrtare për KQZ, opozita e do Ilir Alimehmetin patjetër në Kuvend! Ja dy rrugët që do të ndjekin juristët e PD

Share

Partia e drejtuar nga Sali Berisha i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgejdhjeve me kërkesë për rinumërimin e votave të pavlefshme në qarkun e Tiranës, me shpresën se diçka do të ndryshojë dhe mjeku Ilir Alimehmeti do të jetë pjesë e Kuvendit të ri në Shtator.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Franci Nuri ka konfirmuar për Top Channel se kërkesa për rinumërim do të fokusohet tek rivlerësimi i fletëve të pavlefshme të votimit.

“Rezultati është mjaft i ngushte ne lidhje me mandatin e 14-të. Mandati është diskutim mes Partisë Demokratike Aleancës për Shqipërinë Madhështore dhe partisë së z. Agron Shehaj.

Fletët e pavlefshme janë një opsion, nuk mund te anashkalohen, pasi janë rreth 17-18 mije fletë votimi te pavlefshme ne gjithë qarkun e Tiranës dhe patjetër qe duhet te jene pjese e shqyrtimit dhe vlerësimit ne gjykimin tonë”, ka thënë Franci Nuri.

Por, kali i betejës ligjore të demokratëve për t’i hapur derën e Parlamentit doktor Alimehmetit, i cili e humbi për një grusht votash shansin për të veshur xhaketën e ligjvënësit, nuk janë vetëm fletët e pavlefshme.

“Opsioni tjetër është duke parë materialet zgjedhore për çdo qendër votimi ku ne gjykojmë se ka pasur probleme dhe nëse hiqet një qendër votimi nga përllogaritja e rezultatit aty mund te ndryshoje mandatin pasi diferenca ka qenë më pak se 100 vota”, ka thënë përfaqësues ligjor i PD.

Demokratët kërkojnë rrëzimin e zgjedhjeve jo vetëm në qarqet të cila i humbën, por edhe aty ku fituan. “Është vendimmarrje politike e PD, pasi farsa ishte kudo prezente, kudo ka pasur probleme edhe pse ia dolëm të fitojmë”, është shprehur Nuri.

Tirana do jetë qarku i fundit që do ankimohet nga juristët e Partisë Demokratike, të cilët do shfrytëzojnë të gjithë kohën ligjore për të mbledhur provat për betejën e gjatë ligjore që i pret sa në dyert e KQZ dhe në atë të Kolegjit Zgjedhor.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button