Zbardhen detaje të reja/ Viktima e pafajshme në Shkodër Flutura Basha, është motra e Isa Harushës, ish-oficerit të policisë i vrarë në 2006-n
Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e tmerrshme e masakrës në Shkodër, ku tre persona Hamza Lici, Arlind Bushati, Flutura Basha, humbën jetën dhe një i katërt, Bashkim Basha, vijon të luftojë me vdekjen ne spitalin rajonal të qytetit verior.
Mes viktimave është Flutura Basha, e cila së bashku me bashkëshortin e saj Bashkimin, po udhëtonin me motor në rrugë, ndërsa në çantë kishin disa kokra shegë të blera në treg, për t’ia çuar tre fëmijëve të tyre.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se Flutura Basha, është motra e Isa Harushës, ish-oficerit të policisë kufitare në Shkodër, i cili në vitin 2006, ka mbetur i vrarë në një atentat të organizuar në ambientet e lokalit të tij në Shkodër.
Isa Harusha, gjatë viteve 2000-2006, ka qënë komandanti i njësisë policore kufitare “Renxhersat”, të cilët monitoronin vijën ujore të Liqenit të Shkodrës, me qëllim parandalimin e kontrabandës, trafikun e drogës dhe tregtinë e armëve përmes vijës ujore të liqenit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi.
Plot 18 vjet nga vrasja e Isa Harushës dhe plagosja e vëllai të tij Arben Harushës, në Shkodër ndodh sërisht tragjedia, pasi vritet në një ngjarje të rëndë motra e tyre, Flutura Basha, si dhe plagoset rëndë kunati i tyre, Bashkim Basha.
Isa Harusha, në atë kohë 45-vjeç me banim në lagjen “Dobraç” të Shkodrës, ka mbetur i vrarë në 24 Gusht 2006, rreth orës 21.00 në lokalin e marrë me qera prej tij, ndërkohë që plumbat i kanë rrezikuar jetën edhe të vëllait, Arbenit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Vasil Shanto”, në lokalin “Univers”, i cili ishte marrë me qira nga vëllezërit Harusha dhe ndodhet në qendër të qytetit, mes xhamisë “Ebu Bekër” dhe “Kishës Orthodokse”.
Për vrasjen e shefit të “Renxhersave” Isa Harusha, policia e Shkodrës në atë kohë identifikoi si autorë vëllezërit Kolë, Pëllumb dhe Ergys Alija, të cilët kanë qëlluar me pistoletë kundër dy vëllezërve Harusha.
Pasi kanë lënë të vrarë shefin e “Renxhers-ave” të liqenit të Shkodrës dhe plagosur të vëllanë, autorët janë përpjekur të largohen nga vendi i ngjarjes me një makinë.
Por makina e autorëve, ka ecur vetëm pak minuta dhe më pas është ndalur, pasi është çarë sadokarti. Në këto kushte, tre vëllezërit Alija kanë zbritur nga makina dhe janë larguar me vrap.