Ylli Rakipi i drejtohet Ramës: Premtove shëndetësi falas në 2013 dhe akoma nuk e ke bërë, skandali te Onkologjiku ku bëhej biznes me vdekjen, çfarë do t`i thuash kësaj?

Mbrëmjen e djeshme, kryeministri Edi Rama, ka debatuar me Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN Tv, për premtimin “shëndetësi falas” që ka bërë në 2013, por nuk e ka realizuar ende.
Debati:
Ylli Rakipi: Erdhët në vitin 2013 me premtim për shëndetësi falas. Sipas BB, 60% të shpenzimeve shëndetësore shqiptarët i paguan nga xhepi. Shteti mbuloi vetëm 40%. Pse nuk është realizuar shëndetësia falas? A do ta realizoni në mandatin që pretendoni të shkoni?
Edi Rama: Procesi i transformimit të sistemit shëndetësor ka faza. Do ta marr shifrën, nuk po e kontestoj. Edhe ai hiena nuk kishte falsifikuar gjë, por interpretonte në mënyrë hienore. I fut te gjysma tjetër dhëmbin me helm. Sot, në Shqipëri ka 600 mijë persona, të cilët për arsyet e tyre, nuk kanë mbulim sepse nuk kanë paguar. Për ata bëjmë rimbursim të ilaçeve. Po bëjmë autonominë. Duhet bërë edhe lëvizje në taksim sepse shëndetësinë dikush do ta paguajë.
Ylli Rakipi: Për mandatin e katërt do të jetë shëndetësia falas? Unë përshembull iki jashtë për tu kuruar. Një doktor i njohur këtu thotë shqytyr që e kemi aeroportin afër… Ti ndoshta operohesh këtu dhe mblidhen gjithë mjekët të shohin. Kryeministrin e presin ndryshe.
Edi Rama: Ke bërë ti investigim të spitalit?
Ylli Rakipi: Zbulimi i skandalit te Onkologjiku, ku dërgoheshin në klinika private dhe bëhej biznes me vdekjen, çfarë do ti thuash kësaj?
Edi Rama: Nuk mundet dot që një ngjarje skandaloze… Për këtë arsye ne Onkologjikun po e ribëjmë në partneritet me spitalin e tetë në botë SHIBA e Izraelit. Kemi marrë dhe kemi menaxherë nga Turqia. Kulturën e menaxhimit nuk e kemi shumë të zhvilluar. Ne hodhëm firmën me grupin San Donato për të bërë partneritet strategjik me San Raffaele. Do të kemi qendër spitalore ekselence që do të mbulojë të gjithë shërbimet. Nuk do të ikë njeri jashtë, por do të kurohen në Shqpëri nga i gjithë rajoni.
Ylli Rakipi: Tallesh ti?
Edi Rama: Kemi firmosur ne me grupin San Donato. Ka një eksperiencë në Poloni, kanë marrë spitalet dhe bëjnë menaxhim. Unë po flas për shërbim publik. Ne do të bëjmë partneritet, e kanë bërë në Poloni dhe janë spitale të jashtëzakonshëm. Sjellin mjekë, teknologji, menaxhim. Bëjnë marrëdhënie me shtetin, ku shteti paguan.