Ylli i “Home Alone” shokon me rrëfimin e tij: Babai më keqtrajtonte sistematikisht, nuk dua të jem kurrë si ai

Ylli i famshëm i filmave të Krishtlindjes “Home Alone”, Macaulay Culkin, ka treguar detaje tronditëse nga fëmijëria e tij, duke zbuluar se marrëdhënia me të atin, Kit Culkin, është ndërprerë plotësisht prej më shumë se tre dekadash.
Në një intervistë të fundit, aktori 43-vjeçar tregoi se babai i tij, i cili dikur menaxhonte karrierën e tij në Hollywood, ushtronte dhunë sistematike fizike dhe mendore ndaj tij.
Ai tha se që në moshë të vogël ndjente se ishte shfrytëzuar profesionalisht nga i ati, i cili e shtynte në një orar të lodhshëm xhirimesh, ndërsa përfitimet financiare shkonin kryesisht për familjen.
“Të shtatë fëmijët dhe katër nipërit e tij nuk kanë më asnjë kontakt me të. Ai ka qenë një njeri abuziv dhe i ashpër”, rrëfeu Culkin.
Sipas aktorit, xhelozia për suksesin e tij të hershëm në kinematografi e përkeqësoi më shumë sjelljen e të atit, i cili, siç e përshkruan ai, kishte një natyrë narciste dhe kontrolluese.
“Ai nuk e përballonte dot që një fëmijë të tërhiqte vëmendjen që ai vetë kurrë nuk e mori si aktor”.
Për pasojë, në fund të viteve ’90, Culkin ndërmori një hap të rrallë për moshën e tij: emancipimin ligjor nga prindërit, duke marrë kontrollin mbi jetën dhe financat e veta.
Sot, Macaulay Culkin, është baba i dy fëmijëve me partneren e tij, aktoren Brenda Song, dhe thotë se përpiqet çdo ditë të jetë “i dashur, i pranishëm dhe i kujdesshëm”, – krejt ndryshe nga përvoja që pati vetë në fëmijëri.