Aktualitet dhe Lajme

Vuçiç u drejtohet studentëve protestues: Ultimatumi juaj nuk është pranuar

Share

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të premten, një ditë para protestës në Beograd të thirrur nga studentët protesues, se “Serbia nuk e ka pranuar ultimatumin”.

“Shteti serb është përballur shumë herë me ultimatume nga fuqitë e mëdha të huaja. Edhe kësaj radhe, fuqitë e huaja na kanë dërguar ultimatum përmes bashkëpunëtorëve të tyre vendas.

Përgjigja e shtetit serb ka qenë gjithmonë e njëjtë”, tha udhëheqësi serb për televizionin Pink.

Para protestës së Vidovdanit më 28 qershor, studentët që bllokojnë fakultetet në Beograd i kanë dhënë një ultimatum autoriteteve në Serbi.

Ata kanë kërkuar përmbushjen e dy kërkesave: e para është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Kërkesa e dytë është ndërprerja e tubimit në qendër të Beogradit, ku gjatë tre muajve të fundit kanë kampuar kundërshtarët e bllokadave nga studentët.

Ky grup i protestuesve në qendër të Beogradit e quan veten “studentët që duan të mësojnë”.

Studentët protestues kanë thënë se nëse këto kërkesa nuk plotësohen deri më 28 qershor në orën 21:00, presin që “qytetarët të jenë të gatshëm të ndërmarrin çdo masë ekzistuese të mosbindjes civile”.




Huazuar nga albeu.com

Back to top button