Vrau bashkëmoshatarin Martin Cani, arrest me burg për 14-vjeçarin
Autorit të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, i është komunikuar masa e sigurisë në spital, ku pas shërimit do të shkojë në burg.
Gjyqtarja dhe Prokurori i kanë shkuar në spital, ku ndodhet i shtruar prej disa ditësh, për shkak të plagës me thikë, për të zhvilluar masën e sigurisë për 14-vjeçarin M.P. Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.
Mësohet se gjyqtarja Lorena Çabej, pasi dëgjoi palët vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ndaj të miturit është ngritur nga Prokuroria akuza e vrasjes në rrethana cilësuese. Ndërkohë, Policia e kishte referuar për akuzën e vrasjes me dashje 14-vjeçarin.
Gjithashtu, ndaj të miturit rëndon edhe akuza e mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Grupi hetimor është rikthyer ditën e djeshme në vendngjarje dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ku dyshohet se autori është larguar me vrap me shokët dhe kushërinjtë e tij.
Kamerat janë sekuestruar, pasi dyshohet se ka pasur persona të tjerë që kanë marrë autorin dhe e kanë larguar nga vendngjarja.