Aktualitet dhe Lajme

Vrasja në Shkodër/ Shoqërohen 10 persona në polici, mes tyre dhe Safet Bajri

Share

Shoqërohen 10 persona për atentatin në Shkodër, mes tyre dhe Safet Bajri raporton euronews albania.

Disa persona janë shoqëruar në polici në lidhje me atentatin e ndodhur këtë pasdite në Dobraç të Shkodrës.

Të vdekur mbetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha, ndërsa po lufton për jetën bashkëshorti i saj Bashkim Basha.

Si ndodhi ngjarja?

Një makinë në lëvizje me autorë ende të paidentifikuar qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.

Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë.

Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.

Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.

Përpara disa ditësh Arlind Bushati denoncoi në polici një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.

Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj iu afruan me motor dhe I drejtuan armën, por dyshohet se arma u është bllokuar.

Në këtë masakër me tre viktima, e vdekur mbeti edhe një kalimtare e cila po udhëtonte më motor së bashku me bashkëshortin.

Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.

Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ka ndërruar jetë, ndërsa Bashkim Basha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, aktualisht i vetmi i plagosur nga ngjarja.

Dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve, Bajrave dhe Licëve.

Sipas policisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Deri më tani disa persona janë shoqëruar në komisariat, ndërsa ende nuk ka një autor.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button