Vrasja në Shkodër, lihen në burg vëllezërit Hasaj që ekzekutuan Ramazan Matajn
Gjykata e Shkodrës, ka caktuar masat e sigurisë “Arrest me burg” për dy vëllezërit Arjon dhe Klisman Hasaj, respektivisht 29 dhe 20-vjeç, të cilët akuzohen njëri si autor dhe tjetri, si bashkëpunëtor në vrasjen e 33-vjeçarit Ramazan Mataj.
Ky i fundit u ekzektua në një atentat mbrëmjen e 4 Janarit, në fshatin Dragoç të Postribës në Shkodër me breshëri kallashnikovi brenda automjetit të tij, tip “Mercedes Benz”.
Mbi Arjon Hasajn, rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, ndërsa mbi Klisman Hasajn vepra penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Gjatë seancës gjyqësore mësohet se asnjë nga vëllezërit Hasaj nuk ka dëshmuar. Gjithashtu, asnjë familjar i tyre nuk ka qenë i pranishëm jashtë sallës së gjyqit, pasi ata janë të ngujuar nga frika e gjakmarrjes, një situatë që ndikon në lirinë e lëvizjes së familjarëve të dyshuarve.
Prokuroria ka paraqitur prova gjatë seancës, përfshirë gjurmët balistike, të cilat tregojnë se gezhojat e gjetura në vendngjarje përputhen me armën e gjetur të groposur pranë banesës së familjes Hasaj. Ky fakt e forcon akuzën për vrasjen e Ramazan Mataj, duke vërtetuar lidhjen e armës me ngjarjen.
Pala mbrojtëse kërkoi që për Klisman Hasaj të jepet masa arresti shtëpie, duke argumentuar se ai nuk kishte marrë pjesë në atentat, por kërkesa u kundërshtua nga gjyqtarja Irida Barkaj.
Ajo vendosi të mbajë masën e arrestit me burg për të dy vëllezërit Hasaj, duke konsideruar se nuk ishin plotësuar kushtet për një ndryshim të masës së sigurisë. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth 40 minuta, pa zhvillime të mëtejshme publike.
Nga hetimet ka rezultuar se 33-vjeçari Ramazan Mataj dyshohet se kishte ndikuar për prishjen e marrëdhënieve bashkëshortore të motrës së dy vëllezërve Hasaj.
Kjo gjë është konfirmuar edhe nga vrasësi, Arjon Hasaj, i cili në dëshminë e dhënë pas arrestimit, deklaroi se arsyeja pse e ka vrarë Ramazan Matajn ka qenë për shkak të një lidhje që viktima kishte me motrën e tij prej të paktën 6 vitesh dhe se ai i kishte prishur dy martesa asaj.
Sipas Arjon Hasajt, 33-vjeçari i ka dërguar burrit të dytë të motrës së tij dhe njerëzve të tjerë në fshat edhe video intime ku viktima shfaqej me të motrën e autorit.
Sa i përket vrasjes, 29-vjeçari ka treguar se viktimën e ka nxjerrë në pritë, pas një bisede që kanë patur në Instagram, me anë të një profili të rremë vajze.
“Unë jam personi që e kam vrarë shtetasin Ramazan Mataj. Prej 6 vitesh ai kishte një lidhje me motrën tonë. Ramazani është personi që i ka prishur dy martesa motrës në 6 vitet e fundit. Ai këtë histori ia ka treguar shumë personave në fshat dhe më gjerë, ndërsa është personi që divorcoi dy herë motrën tonë. Madje ka shpërndarë edhe disa video tek ish-burri i dytë dhe tek njerëz të tjerë në fshat në momente intime me motrën. Unë hapa një llogari false në Instagram me emrin e një vajze dhe lashë një takim me Ramazan Mataj. Ai erdhi dhe aty e qëllova me armë zjarri. Më pas armën e fsheha disa metra më tutje nga vendi ku e vrava. Pas vrasjes jam larguar me biçikletë drejt banesës. Armën e kam patur në shtëpi prej disa kohësh. Motra ka disa kohë që nuk jeton në banesën tonë, jetonte në Shkodër”, mësohet të ketë deklaruar Hasaj.
Ndërkohë, vëllai i autorit, 20 -vjeçari Klisman Hasaj ka thënë se nuk ka qenë në dijeni të veprimeve të vëllait dhe faktit që do kryente vrasje.
“Nuk kam patur asnjë dijeni për vrasjen që do kryente vëllai dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje”, mësohet të ketë deklaruar Klisman Hasaj, vëllai i autorit.
Burime bëjnë me dije se pas atentatit, Policia e Shkodrës ka kryer përgjime në banesën e familjes Hasaj. Gjatë përgjimeve dy vëllezërit kanë folur për vrasjen e realizuar nga Arjoni si dhe në një moment del se autori kryesor Arjon Hasaj është penduar që kishte fshehur armën dhe ka shkuar duke e marrë sërish dhe duke e groposur në oborrin e shtëpisë për ta patur për siguri.
Pas këtyre përgjimeve policia arrestoi dy vëllezërit Hasaj si autor të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ramazan Mataj. Policia ka marrë në pyetje edhe familjarë të tjerë të viktimës dhe autorit të dyshuar ndërsa vijon punën për ta zbardhur të plotë këtë ngjarje të rëndë.