Vodhën makinën e 28-vjeçares në garazh, 1 i arrestuar, tjetri në kërkim

Policia e Tiranës, ka arrestuar një 20-vjeçar i identifikuar si Marjus Shkëmbi dhe ka shpallur në kërkim Ergivio Hysën, pas vjedhjes së një automjeti në Yzberisht.
Dy të rinjtë, dyshohet se kanë vjedhur automjetin më 25 prill 2025. Automjeti është sekuestruar si provë materiale, ndërkohë që po vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bazë të kallëzimit të marrë nga një 28-vjeçare, të cilës i ishte vjedhur automjeti në garazhin e pallatit ku banon, kanë organizuar punën për vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Micro”, u arrestua në flagrancë shtetasi M. Sh., 20 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. H(B)., 20-vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 25.04.2025, kanë vjedhur një automjet tip “Nissan Micra”, në një garazh në rrugën “Kol Koçi”, në Yzberisht.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti, i cili u gjet pranë banesës së 20-vjeçarit(të arrestuar). Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 20-vjeçarit, të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.