VIDEO / Shënoi gol në finale dhe priti dy penallti, Etrit Berisha i jep Kupën e Suedisë skuadrës së Hacken

Etrit Berisha ishte protagonisti absolut në finalen e Kupës së Suedisë, duke udhëhequr skuadrën e tij Hacken drejt triumfit ndaj Malmos pas një sfide dramatike që u vendos pas goditjeve të penalltive, në fushën e këtyre të fundit.
Ndeshja përfundoi 0-0 në kohën e rregullt, por në lotarinë e penalltive, ish-portieri i Kombëtares shkëlqeu duke pritur dy penallti vendimtare, të parën dhe të tretën, si edhe realizoi vetë penalltinë e katërt për skuadrën e tij. Hacken fitoi me rezultatin 4-2, duke fituar për herë të katërt në histori këtë trofe.
Berisha u shpall lojtari i ndeshjes jo vetëm për performancën e tij në penallti, por edhe për pritjet e shumta vendimtare gjatë lojës.
“Ndihem shumë mirë. Të gjithë djemtë besuan, edhe pse kishim shumë mungesa. Të rinjtë dhanë gjithçka dhe dolën shumë mirë, edhe pse ishte një ndeshje e vështirë. Tani do të mund të luajmë në Evropë”, u shpreh Berisha pas finales.
Portieri kuqezi shtoi se nuk është hera e parë që shënon penallti. “Nuk është hera e parë që pres penallti dhe shënoj. Bëmë një punë të madhe kundër një prej skuadrave më të mira në Suedi, në fushën e tyre. E dinim që do të ishte e vështirë, por nuk u dorëzuam kurrë”, tha ai. Pas thuajse një sezoni pushim, Berisha u rikthye në fushë dhe ia doli të ngrejë trofeun me Hacken.
Sfida finale nuk ishte e qetë, pasi problemet me tifozët nuk munguan dhe përballja u vonua për minuta të tëra në dy raste.