
Këta janë dy efektivët e Policisë Rrugore që u dhunuan nga tre persona ditën e sotme në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës në Vlorë. Dy efektivët, që ishin aty pranë, ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit mes tre personave, 58, 27 dhe 23-vjeç me disa punonjës të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV).
Gjatë ndërhyrjes, ata janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e përfshirë. Në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve të Policisë përdori armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e goditjeve, dy policët u dërguan në Spitalin Rajonal Vlorë.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç. Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e dëmtimeve fizike të shkaktuara nga goditjet e tre shtetasve, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Start News
