Aktualitet dhe Lajme

Vetëm 15 minuta/ Ku gaboi Shqipëria në ndeshjen e parë të Euro24

Share

Ndeshja me Italinë në Dortmund do të mbahet mend për golin më të shpejtë në historinë e kampionateve europiane, për ato 23 sekonda që iu deshën Nedim Bajramit ta çonte topin në rrjetë duke përfituar nga gabimi i Dimarco.

Ndoshta ky ishte momenti i vetëm kur në vend të frikës, një nga lojtarët e kombëtares tonë i besoi thjesht dhe vetëm instiktit. Pjesa tjetër ishte një leksion, që gjithsesi bëhet më pak i hidhur, kur kujton se ta dhanë 4 herë kampionët e botës dhe kampionët në fuqi të Europës.

Sepse menjëherë pas pësimit të golit, lojtarët e Spaletit kontrolluan lojën dhe nuk u çorientuan. Përkundrazi, me qetësinë që ua jep eksperienca, tradita dhe përgatitja fizike e përmbysën rezultatin për… vetëm 15 minuta.

Emocionet e furishme që ndezi Nedim Bajrami mes dhjetëra mijëra tifozëve shqiptarë nxitën fantazi të shfrenuara. Stadiumi nisi të oshëtijë për kombëtaren. Por ndërsa tek tifozët emocionet janë arma kryesore, në fushë dhe në pankinë duhej qetësi dhe vetëpërmbajtje. Këtu Shqipëria nuk ia doli.

Në pak minuta, kundërshtari arriti ta rikuperonte rezultatin me lojën e qetë dhe të sigurtë që tregoi, pasi nuk e humbi toruan. Që pas sekondave të para, kur fati ishte me ne, italianët qarkulluan topin për pjesën më të madhe të kohës.

Nuk ishte rastësi që barazimi erdhi menjëherë.

Bastoni goditi në shenjë në minutën e 11-të duke na rikthyer me këmbë në tokë. Pesë minuta më pas, Barela lëshoi një gjuajte nga larg duke na ndëshkuar për herë të dytë. Vetëm 15 minuta. Ndeshja nuk pati më surpriza.

Sepse italianëve nuk u duheshin më surpriza. Në minuta si këto dallohen lojtarët e mëdhenj. Këtu dallohen edhe skuadrat e mëdha, por edhe trajnerët e mëdhenj.

Rastet e italianëve ishin disa në pjesën e dytë. Herë patëm fat, herë patëm Strakoshën dhe i shpëtuam golit të tretë kundërshtarëve. Për Shqipërinë, vlen të përmendet një rast i Rei Manajt në minutat e fundit kur sulmuesi i Beshiktash tentoi portën, por pa sukses.

Kuqezinjtë sot ishin të trembur. Nuk e ruajtën dot rezultatin më të shpejtë në historinë e europianëve, por u bënë shpejt një pre e lehtë për t’u përtypur nga kampionët në fuqi.

Për t’u justifikuar, në deklaratën që dha pas ndeshjes, Silvinjo e përmendi se në fund të fundit u përballëm me Italinë, kampione në fuqi.

“I zhgënjyer nga rezultati, i lumtur për paraqitjen. Nuk kemi bërë mirë në 20-25 minutat e parë, ishte shumë e vështirë për ne. Më pëlqeu që luajtëm një ndeshje ndaj një Italie që është kampione në fuqi, në një fushë të bukur dhe deri në fund ishim aty, pranë një barazimi” u shpreh ai.

Pas ndeshjes do të bëhen edhe analizat, do të shihen edhe gabimet, por në një përgjigje të shpejtë për shkaqet e humbjes, Silvinjo veçon dy prej tyre.

“Kundërshtari është i fortë, ngarkesë emocionale, shumë pak nga gjithçka. I ndodh edhe ekipeve të mëdha, Mançesterit, Liverpulit, Realit kur kundërshtari është i fortë” tha ai.

Italianët bëjnë llogaritë e tyre. Edhe pse kanë dalë me fitim, Spaleti duket i pakënaqur dhe thotë se duhet të kishin bërë më shumë gola.

“Ishte mundësia për të goditur akoma më shumë përpara, por nuk morëm vendimet e duhura, për t’i mbyllur aksionet në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpesh shkuam pas, në një kohë që duhet të kishim bërë të kundërtën, të përfundonim aksionin” ka thënë ai pas ndeshjes.

Përveç golit historik të Nedim Bajramit, do të mbetet në kujtesë për këdo atmosfera në Dortmund. Dhjetëra mijëra shqiptarë kanë mbushur sheshet në mbështetje të kombëtares kuqezi. Sido të jenë rezultatet, stadiumet do të jenë plot me tifozë shqiptarë edhe me Kroacinë dhe Spanjën, dy ndeshje që trembin, por në të cilat kuqezinjtë do të kenë gjithnjë e më pak për të humbur, e gjithnjë e më pak arsye për t’iu frikësuar topit./Lapsi.al



Huazuar nga Lapsi.al

Back to top button