Vese, xhelozi dhe dështime, ndarja e vështirë e Shpat Kasapit nga bashkëshortja! Si çifti morën vendimin për t’i dhënë fund martesës së tyre

Vetëm një muaj më parë, shkruam për një ndarje jo dhe aq të lehtë që ishte duke ndodhur mes Shpat Kasapit dhe bashkëshortes së tij, Selvijes.
Në një postim në rrjetet sociale, ka qenë kjo e fundit që ka konfirmuar jo vetëm ndarjen, por edhe momentet e vështira që ka kaluar në këtë martesë.
Selvija postoi një mesazh emocional në InstaStory-n e saj, duke lënë të kuptohet se gjërat mes saj dhe këngëtarit mund të kenë marrë fund.
Ky postim ka ndezur një valë diskutimesh mes fansave dhe medias, pasi tani shumë prej tyre janë të bindur se ndarja është zyrtare.
“Ditët e fundit në Tiranë… Më në fund po largohem, por zemra ime do të mbajë gjithmonë një copëz nga ky qytet. Në çdo cep të saj kam lënë pjesë të shpirtit tim… një grua që luftoi, qeshi, u rrëzua dhe u ngrit për veten dhe për djalin e saj… Tirana s’do të jetë më e njëjta pa mua, dhe as unë pa të”, shkroi ajo krahas një fotoje.
Burimet flasin se çifti, që pas shpërnguljes në Tiranë ka pasur probleme të shumta. Shkak për këtë janë bërë jo vetëm xhelozitë e Selvijes, por edhe ndryshimi që erdhi bashkë me zhvendosjen.
Konfliktet e çiftit kanë qenë të rënda dhe veç xhelozive, akuza ka pasur edhe për vese nga ana e këngëtarit.
Në këtë situatë, pas shumë debatesh që çifti ka pasur, të dy i kanë dhënë fund raportit të tyre, në një mënyrë goxha të vështirë.
Kujtojmë që, çifti braktisi Shkupin për t’u zhvendosur dhe për të jetuar në Tiranë më shumë se 1 vit më parë.
“Këtu në Tiranë do të hap dhe një lokal, jam duke u përgatitur. Jam duke ardhur si biznesmen. Kohët e fundit, 5-10 njihem si një këngëtar te pop-folku. 15 vite po bëj që kam lënë diskun. Para pandemisë kemi bërë jetë të shthurur, kemi kënduar deri në orën 3-4 të mëngjesit. Ajo është muzika, në fakt, jo të këndosh në orën 9-10 të darkës. Vendosja të bëja një jetë më ndryshe se ajo në Shkup. T’i kem gjërat më afër. Mendova për djalin, kopshtet janë më të mirë, gjuha është e pastër. Megjithatë Shkupin e dua fort se atje jam rritur, por Tirana është tjetër gjë”, u shpreh Shpat Kasapi në një intervistë.
Por duket se biznesi i tij nuk u hap kurrë, duke sjellë jo pak probleme mes çiftit dhe për shkaqe ekonomike.
Pak kohë më parë, Selvija e pyetur për arsyen e zhvendosjes nga Shkupi në Tiranë u përgjigj: “Janë të shumta duke nisur nga angazhimet e Shpatit deri tek shkollimi i Roelit. Shpatit i duhej çdo javë të vinte në Tiranë dhe më shumë udhëtonim se sa rrinim në Shkup, kështu që vendosëm të jetojmë këtu. Shkupi dhe Gostivari më mungojnë po më shume familjarët që jetojnë atje…”.
Dyshja janë njohur gjatë kohës që Selvija grimonte Shpatin dhe vajzat që ishin zgjedhur për të performuar në videoklipin e tij.
“Jemi përshtatur për nga natyra, si shokë. Na ka ecur muhabeti, jemi kuptuar në shumë rrethana dhe afërsia mendoj se ndikon shumë, pastaj takimi dhe njohja me familjen. Është pak emocionuese si vajzë, por atë që ta thotë, ta thotë për mirë”, e përshkroi Shpati bashkëshorten e tij./Gazeta Panorama