Vatër zjarri në malin e Gërmanit në Mat, terreni i vështirë pengon ndërhyrjen e zjarrfikësve

Një vatër zjarri është aktivizuar mesditën e sotme në malin e fshatit German, Njësia Administrative Komsi, Bashkia Mat.
Flakët kanë rënë rreth orës 12:00, në një zonë të thepisur dhe malore, ndërsa ende nuk dihet shkaku i saktë i zjarrit. Burime nga terreni bëjnë me dije se vatra ndodhet në një zonë të vështirë dhe fikja e saj është e vështirë.
Dyshohet se zjarri mund të ketë ardhur nga pakujdesia e ndonjë bariu që kulloste bagëtinë, ose si pasojë e zjarrvënies së qëllimshme.
Aktualisht në vendngjarje ndodhen punonjës të shërbimit pyjor të Bashkisë Mat, forca zjarrfikëse dhe banorë të zonës, por terreni malor paraqet rrezikshmëri.
Zona kryesisht është me ah dhe arrëni, ndërsa pritet që flakët të vihen nën kontroll në orët në vijim, me shtimin e forcave të ndërhyrjes.