Aktualitet dhe Lajme

Vaji i ullirit mbetet sërish stok, eksportet bien 75% për janar-mars

Share

Eksportet e vajit të ullirit vijojnë të mbeten në sasi të ulëta për këtë vit, duke reflektuar vështirësitë e sektorit. Për muajt janar-mars 2025 sipas të dhënave të Doganave, u eksportuan rreth 322 ton vaj ulliri.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme, eksportet e vajit të ullirit janë ulur 75%. Për këtë periudhë në vlerë eksportet e vajit të ullirit arritën rreth 188,5 mijë lekë, kundrejt 1 miliardë lekë që ishin eksportet e muajve janar-mars 2024. Rënia e eksporteve në vlerë është 81%.

Përpunuesit dhe eksportuesit e vajit të ullirit, pohojnë se vijojnë të jenë thuajse të bllokuar në eksportin e vajit rifuxho, për shkak të çmimeve të ulëta që ofrojnë blerësit e huaj, sidomos nga Italia, ku konkurrenca me prodhuesit spanjollë dhe grekë është shumë e fortë.

Aldo Jolla, eksportues nga zona e Belshit, tregon se prej muajit nëntor nuk ka arritur të shesë asnjë litër vaj të paambalazhuar. Aktualisht, ai ka të magazinuara 30 ton vaj ulliri të pashitur.

“Çmimi që kërkojnë grosistët italianë është nën koston e prodhimit. Po na ofrojnë 4,7 euro për litër, ndërkohë që në Spanjë çmimi arrin 4,2 euro. Nën 500 lekë për litër, ne nuk dalim as me koston e punës”, thotë ai.

Kostot e larta të prodhimit janë jo vetëm për shkak të pagave të larta për punonjësit, por edhe nga mekanizimi i ulët që nuk nxit rritjen e rendimentit, mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar nga fermeri, si në Greqi, ku shteti subvencionon fermerin 1 euro për litër dhe nga niveli i lartë i informalitetit të shitjeve në vend.

Gjatë sezonit të fundit 2024/2025, Spanja, Greqia, Turqia, Portugalia etj., kanë pasur një prodhim të mbarë, që ka sjellë edhe rënie të çmimit të vajit të ullirit që eksportohet në tregjet e mëdha ndërkombëtare, duke e bërë vajin shqiptar jo konkurrues.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë më herët pohoi për Monitor se po punon për përmirësimin e kushteve të magazinimit dhe marketingut të vajit të ullirit, përmes një projekti të financuar nga Banka Botërore me vlerë rreth 1 mln USD.

Sipas këtij projekti, planifikohet ngritja e një qendre moderne në qarkun e Beratit, ku do të kryhet ruajtja, ambalazhimi dhe brandimi i produktit shqiptar të vajit të ullirit.

Por aktualisht shpresa e vetme për eksportuesit, duket të jetë sezoni turistik, ku pritet rritje e kërkesës nga restorantet për vaj ulliri, prej muajit mars.

Eksportues të tjerë pohojnë se për ta tregu i eksporteve zë më tepër peshë në shitje sesa tregu i brendshëm. Për këtë arsye po angazhohen për eksportin e vajit të ullirit të ambalazhuar me markë. Ndërsa në tregun e brendshëm, kërkesa për vaj ulliri të ambalazhuar është e ulët.

Tregu i vajit të ullirit shënon luhatje të shumta vit pas viti. Në vitin 2023, rritja e lartë e eksporteve, kryesisht për vajin e paambalazhuar (rifuxho) drejt Italisë, u nxit pas bumerangut të krijuar me mbiprodhimin e vitit 2022, kur fermerët nuk gjenin treg për ta shitur vajin e ullirit.

Në dy vitet e shkuara 2023 dhe 2024 u rrit sasia e eksportit të vajit nga Shqipëria, sepse vendet si Spanja dhe Italia, që dominojnë tregun botëror, patën një rënie të madhe të prodhimit për dy vite me radhë, për shkak të mungesës së reshjeve. Gjatë sezonit të fundit 2024/2025, Spanja, Greqia, Turqia, Portugalia etj., kanë pasur një prodhim të mbarë, që ka sjellë edhe rënie të çmimit të vajit të ullirit që eksportohet në tregjet e mëdha ndërkombëtare./MONITOR

 




Huazuar nga albeu.com

Back to top button