Aktualitet dhe Lajme

Ushtruan dhunë ndaj 15 vjeçarit gjatë arrestimit, pezullohen nga detyra 3 oficerë të Policisë së Shtetit

Share

Tre efektivë të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pasi kanë shkelur rregulloren e policisë në arrestimin e një të mituri në zonën e Fushë-Mëzez-ës.

Këto masa janë marrë pas publikimit të pamjeve nga “JOQ” teksa shihen oficerët e policisë duke dhunuar 15 vjeçarin, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete dhe dorezë hekuri në çantë.

Konkretisht janë pezulluar nga puna 2 inspektorë të Komisariatit nr.6, shtetasi R. H., dhe shtetasi B. A., si dhe nënkomisari i Komisariatit nr.6, shtetasi A. K., të cilët ishin angazhuar me detyrën e ndalimit dhe arrestimit të 15 vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pasi u njoh me një video të publikuar në rrjetin social JOQ, në të cilën shfaqen 3 punonjës policie që shkelin rregulloren e Policisë së Shtetit, gjatë veprimeve operacionale për arrestimin e një 15-vjeçari që qarkullonte me armë zjarri në Fushë-Mëzez, menjëherë ka pezulluar nga detyra 3 punonjësit e Policisë, konkretisht:

-Inspektor R. H., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;

-Inspektor B. A., me detyrë oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr.6;

-Nënkomisar A. K., me detyrë specialist rendi në Komisariatin e Policisë Nr.6.

Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në zbatim të Nenit 121 të Ligjit Nr.82, viti 2024 “Per Policine e Shtetit” ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të nisur ecurinë disiplinore ndaj punonjësve të Policisë, për shkelje të rëndë.




Huazuar nga Albeu.com

Back to top button